Një çift nga provinca Gaziantep e Turqisë ka tërhequr vëmendjen me historinë e tij të gjatë të martesës dhe me stilin e thjeshtë të jetesës, të cilin e konsideron si sekretin e jetëgjatësisë.
Mehmet Balaban, 100 vjeç, dhe bashkëshortja e tij Cennet Balaban, 103 vjeçe, jetojnë në lagjen Dervişpaşa të qytetit İslahiye. Ata janë martuar në vitin 1953 dhe kanë tre djem, katër vajza, 25 nipër e mbesa dhe 26 stërnipër e stërmbesa.
Pavarësisht moshës së avancuar, çifti vijon t’i kryejë vetë pjesën më të madhe të punëve të përditshme. Sipas tyre, nuk kanë pasur probleme serioze shëndetësore dhe gjatë gjithë jetës kanë kërkuar ndihmë mjekësore vetëm në vitin 2021, gjatë periudhës së pandemisë.
Mehmet Balaban, i rritur me traditat e jetesës nomade, tregoi se gjalpi, kosi dhe djathi nuk kanë munguar asnjëherë në tryezën e familjes. Ai tha se preferon veçanërisht kosin dhe se, pasi konsumojn një vakt të plotë, shpesh nuk hanë më gjatë pjesës tjetër të ditës. Të ngrënit me masë dhe ushqimi natyral na kanë mbajtur në këmbë deri sot, u shpreh 100-vjeçari.
Cennet Balaban tregoi se gjatë martesës së tyre nuk kanë pasur konflikte serioze dhe se kanë kaluar një jetë të qetë së bashku. Ajo vijon t’i përgatisë çdo ditë bashkëshortit kafe turke, ndërsa të dy thonë se përpiqen të vlerësojnë çdo moment që kalojnë pranë njëri-tjetrit.

