Një grua ka krijuar një aplikacion për takime për njerëzit që nuk duan të bëjnë seks, por ende duan që të njohin dikë të veçantë.
Aplikacioni i quajtur “The Sexless Tribue” u krijua nga Shakia Seabrook nga Florida. Aktualisht ka më shumë se 8 mijë përdorues.
33-vjeçarja ka zbuluar se ishte frymëzuar për të krijuar këtë platformë për të ndihmuar një komunitet që ajo besonte se “nuk ishte i përfaqësuar sa duhet”.
Shakia mori vendimin për abstinencë në moshën 13-vjeçare dhe nuk është kthyer më në vendimin e saj.
“Nuk e di pse e mora atë vendim në moshën 13-vjeçare, por ndërsa u rrita, duke parë se si po ndodhte seksi i rastësishëm, nuk doja asgjë. Nuk dukej shumë e veçantë dhe argëtuese”, ka thënë Shaika.
Ndërsa ajo është e krishterë, Shakia thotë se vendimi i saj nuk është tërësisht i lidhur me besimin e saj – dhe aplikacioni është i hapur për këdo, pavarësisht nga besimet e tyre fetare.
“Të gjithë janë të mirëpritur”, është shprehur ajo, duke shtuar: “Unë nuk e kam krijuar atë vetëm për të krishterët, e kam krijuar për këdo që po jeton këtë mënyrë jetese”.
“Nuk flitet sa duhet për këtë mënyrë jetese. Nuk ka hapësirë të mjaftueshme që njerëzit të bashkohen dhe të marrin ndihmën që dëshirojnë për të qenë të suksesshëm në këtë mënyrë jetese, kështu që unë u përballa me sfidën”, ka thënë 33-vjeçarja.
Aplikacioni përbëhet nga dy pjesë. Një hapësirë komunitare e ngjashme me një aplikacion takimesh dhe burime për abstinencën.