Mes shtëpive të braktisura dhe objekteve që dëshmojnë më shumë se dy shekuj histori, një 39-vjeçar ka zgjedhur të jetojë pothuajse i vetëm për të ruajtur vendin ku kanë jetuar breza të familjes së tij.

Álvaro jeton në një fshat të vogël në Asturias, i cili me kalimin e viteve ka humbur pothuajse të gjithë banorët. Ai u rikthye në këtë zonë rreth gjashtë vite më parë për arsye pune, por përfundimisht vendosi të qëndronte dhe të kujdesej për shtëpinë e familjes dhe fshatin.

“Qëllimi im është ta mirëmbaj fshatin, të paktën rrugën që të çon deri këtu”, shprehet 39-vjeçari. Ai përpiqet gjithashtu të sigurojë furnizimin me ujë, në mënyrë që njerëzit të mund ta vizitojnë zonën dhe të njihen me historinë e saj.

Lidhja e Álvaros me këtë vend nis që në fëmijëri. Në atë kohë, familja linte makinën në fshatin më të afërt dhe vazhdonte rrugën në këmbë, duke transportuar ushqime, gaz për gatim dhe furnizime që duhej të mjaftonin për rreth 15 ditë.

Një nga pasuritë më të veçanta të vendit është shtëpia e familjes, e ndërtuar në vitin 1794. Brenda saj ruhen ende gramafonë të vjetër, sëndukë prej lëkure krokodili, një diplomë universitare e vitit 1906, gazeta të periudhës së Republikës së Dytë dhe vegla të vjetra zdrukthëtarie.

Pas vdekjes së babait të tij në vitin 2018, Álvaro mori përsipër kujdesin për pronën. Për 39-vjeçarin, misioni tashmë shkon përtej mirëmbajtjes së një shtëpie mbi 200-vjeçare: ai kërkon të mbajë gjallë kujtesën dhe historinë e një fshati që rrezikon të mbetet plotësisht pa banorë.