PUMA India ka zgjedhur një mënyrë krejt të pazakontë për të promovuar vrapimin: 40 murgj budistë, të veshur me rrobat e tyre tradicionale ngjyrë të kuqe të errët, shfaqen me atlete moderne vrapimi në këmbë.

Fushata, e quajtur “Meditation in Motion” – “Meditim në lëvizje”, është realizuar në Manastirin Thiksey në Ladakh, një manastir budist tibetian që daton nga shekulli XV. Murgjit janë fotografuar në mjediset e manastirit duke mbajtur veshur atletet PUMA Deviate PURE NITRO. 

Ideja bazohet në kontrastin mes dy botëve që në pamje të parë duken krejt të kundërta: qetësisë së meditimit dhe lëvizjes së vazhdueshme të vrapimit. Sipas kompanisë, të dyja kërkojnë përqendrim, disiplinë, qëndrueshmëri dhe aftësinë për të mbajtur mendjen të fokusuar tek momenti. 

Fushata vjen përpara Maratonës së Ladakhut, që zhvillohet nga 10 deri më 13 shtator. PUMA është partneri ekskluziv i veshjeve sportive të aktivitetit dhe prej tre vitesh bashkëpunon me organizatorët e garës. 

Një nga sfidat më ekstreme të aktivitetit është “Silk Route Ultra”, një garë prej 122 kilometrash që ngjitet deri në Khardung La Pass, në rreth 5,370 metra mbi nivelin e detit. Pikërisht kushtet ekstreme të Ladakhut kanë shërbyer për të përcjellë mesazhin se vrapimi nuk është vetëm forcë fizike, por edhe një provë e fortë mendore.