Ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel u dha intervista e një 40-vjeçari nga Lushnja, Tomorri, i cili zbuloi se ishte rritur mes dhunës dhe abuzimit seksual.
Ai ishte braktisur nga familja e tij dhe më pas ishte birësuar nga një çift nga Lushnja. Ka qenë 15 vjeç kur është abuzuar seksualisht dhe gjithashtu është bullizuar për mënyrën e të ecurit.
Gjatë intervistës, Tomorri tregoi se ka qenë i martuar dhe se nuk kishte kryer marrëdhënie se nuk kishte testosteron. Por jo vetëm kaq, pasi ai tregoi se dëshironte të ishte si transgjinorja Linda Rei, prandaj do të bëjë ndërhyrje.
Linda Rei ishte gjithashtu e ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, ku kujtoi edhe njëherë tjetër vuajtjet që ka pasur kur ka vendosur që të tregojë se do të kthehej nga burrë në grua.
“Unë punoja në Itali si një parukiere, aty kishte çuna gej. Unë kur fola me pronaren e punës, i thashë kam filluar të ndryshoj hormonet, të rris flokët. Më tha më vjen shumë keq, nuk kam asgjë kundër, por nëse ti do të bësh këtë zgjidhje, ti nuk do të punosh këtu.
Unë nisa ndryshimin tim dhe më hoqën nga puna. Kërkova një punë tjetër, isha vetëm, edhe familja ime më kishte larguar”, rrëfeu Linda.
Kjo e fundit shtoi se nëse do kishte menduar për dinjitetin dhe moralin, ose do kishte vdekur ose do kishte përfunduar në ndonjë kanal.
“Ka shumë njerëz që nuk kanë atë karakter të fortë dhe për hir të gjyshërve dhe familjes, martohen dhe më pas shkojnë e bëjnë seks nëpër Tiranë”, tha ajo.
E pyetur nëse ka ndryshuar ndonjë gjë në Itali në lidhje me transgjinoret, Linda u shpreh:
“Shumë pak ka bërë Italia, lejohet të ndryshosh emrin në dokumente dhe të kesh foton që dëshiron. Doja të ndryshoja dokumentet shqiptare, pyeta avokaten dhe më tha lëre këtë punë se nuk ndryshohen”.