Një histori e pazakontë ka tërhequr vëmendjen në Turqi, ku një 48-vjeçar ka vendosur të ndryshojë zyrtarisht emrin e tij në “Atom”, nofkë me të cilën ishte njohur prej vitesh nga miqtë dhe të afërmit. Bëhet fjalë për Seyfullah Gökyıldız, i cili pas një vendimi gjyqësor ka hequr dorë nga emri i tij i vjetër dhe tashmë do të njihet zyrtarisht si Atom. Ai shprehet se ky emër i jep më shumë vetëbesim dhe e bën të ndihet më i fortë.
Sipas tij, gjithçka nisi nga karakteri energjik që kishte, duke bërë që njerëzit rreth tij ta thërrisnin gjithmonë “Atom”. Me kalimin e kohës, kjo nofkë u bë pjesë e identitetit të tij, derisa vendosi ta zyrtarizojë. Pas miratimit nga gjykata, ai ka përditësuar të gjitha dokumentet zyrtare, duke përfshirë kartën e identitetit, patentën, kartat bankare dhe dokumentet e pronësisë.
Megjithatë, emri i ri ka shkaktuar reagime të ndryshme. Disa njerëz nuk e besojnë dhe mendojnë se është shaka, ndërsa të tjerë e përgëzojnë për zgjedhjen e guximshme. Vetë ai shprehet se nuk ka ndjerë asnjë vështirësi në përshtatje, pasi ky emër ka qenë gjithmonë pjesë e tij dhe tashmë është bërë edhe zyrtarisht identiteti i tij.



