Vdekja e Klaus-Michael Kühne ka hapur një kapitull të ri për një prej pasurive më të mëdha private në Evropë. Miliarderi gjerman, i cili ndërroi jetë më 24 gusht në Zvicër në moshën 89-vjeçare, nuk la pas fëmijë, ndërsa pasuria e tij e vlerësuar në rreth 49 miliardë dollarë nuk pritet të ndahet mes trashëgimtarëve individualë. Në vend të kësaj, kontrolli mbi pjesën më të madhe të perandorisë së tij do të kalojë te Fondacioni Kühne, një strukturë që biznesmeni e kishte krijuar dekada më parë dhe që tashmë ka një aktivitet të konsoliduar filantropik.

Kühne e ndërtoi pjesën më të madhe të pasurisë përmes Kuhne+Nagel, kompanisë së transportit dhe logjistikës që nën drejtimin e tij u shndërrua në një prej aktorëve kryesorë globalë të sektorit. Paralelisht, ai investoi në kompani të tjera të mëdha dhe ndërtoi një portofol të gjerë asetesh. Mes tyre janë rreth 30% e Hapag-Lloyd, rreth 15% e grupit kimik Brenntag, një pjesëmarrje në kompaninë e transportit Flix dhe aksione në Lufthansa. Në pasurinë e tij përfshihet gjithashtu hoteli luksoz Fontenay në Hamburg dhe prona të tjera të paluajtshme.

Sipas Bloomberg, pasuria e Kühne-s është rritur më shumë se katërfish gjatë dhjetë viteve të fundit, kryesisht falë pjesëmarrjes së tij prej afro 60% në Kuhne+Nagel. Por ajo që e bën veçanërisht të pazakontë trashëgiminë e tij është destinacioni i kësaj pasurie. Në vend që miliardat të shpërndahen te pasardhësit, ato do të mbeten brenda një strukture jofitimprurëse.

Fondacioni Kühne ka tashmë rreth 20 organizata ndihmëse dhe afro 800 punonjës. Aktiviteti i tij përfshin fusha të ndryshme, nga arsimi dhe mjekësia te mbrojtja e klimës, logjistika humanitare dhe kultura. Vetëm për vitin 2026, buxheti i fondacionit vlerësohet në rreth 135 milionë franga zvicerane. Me marrjen e aseteve të miliarderit, potenciali financiar i tij pritet të rritet ndjeshëm.

Sipas “Neue Zürcher Zeitung”, në kushte normale portofoli i aseteve mund të prodhojë rreth 1 miliard franga zvicerane në vit vetëm nga dividentët. Megjithatë, jo e gjithë kjo shumë do të shkojë drejtpërdrejt për aktivitetet e fondacionit. Struktura e re e vendos Fondacionin Kühne pranë disa prej fondacioneve më të mëdha të kontrolluara nga pasuri private në botë, si Gates Foundation, Wellcome Trust dhe fondacione të lidhura me kompani të mëdha si Novo Nordisk, Bosch dhe Carlsberg.

Kühne e kishte zgjedhur prej vitesh Zvicrën si bazë të jetës dhe aktiviteteve të tij. Ai ishte kritik ndaj politikave ekonomike dhe sistemit fiskal gjerman dhe jetonte në Schindellegi, në kantonin Schwyz, një zonë e njohur për trajtimin e favorshëm të trashëgimisë. Tani, pasuria e tij do të drejtohet nga një bord administratorësh ku bëjnë pjesë edhe bashkëshortja e tij dhe disa prej këshilltarëve që e kanë shoqëruar gjatë karrierës.

Ky transferim nuk është vetëm një çështje trashëgimie. Fondacioni do të marrë nën kontroll pjesëmarrje të rëndësishme në kompani të transportit detar, aviacionit, logjistikës, industrisë kimike dhe pasurive të paluajtshme. Kjo mund ta shndërrojë një organizatë bamirësie në një prej aksionerëve më të fuqishëm në disa industri strategjike evropiane. Në thelb, Klaus-Michael Kühne ka zgjedhur që pasuria e ndërtuar gjatë një jete të tërë biznesi të mos përfundojë te një familje trashëgimtarësh, por të vazhdojë të administrohet përmes një fondacioni dhe të financojë projekte në fusha të ndryshme.