Qoftë nëse jeni në kërkim të brigjeve që duken si nga një film, fshatrave të qetë, liqeneve romantike, qyteteve plot stil apo majave të larta malore, Italia ofron një thesar të pasur destinacionesh të paharrueshme për pushime. Por, përtej emrave të njohur dhe të frekuentuar, fshihen vende më pak të zbuluara që kanë shumë për të ofruar. Këtu kemi përzgjedhur pesë nga perlat e fshehura të Italisë që mund t’ju frymëzojnë për një udhëtim të veçantë dhe ndryshe.

Franciacorta
Versioni italian i qetë dhe i relaksuar i Shampanjës, Franciacorta në Lombardi ndodhet në shpatet alpine që përfshijnë Liqenin Iseo, fshatra të bukura dhe vreshta që shtrihen në kodra, nga të cilat prodhohen verërat e shijshme të rajonit (të preferuara nga vetë italianët). Peizazhi piktoresk e malor është i shpërndarë me fshatra antikë të zbukuruar me kulla, kështjella dhe vila, dhe ndodhet pranë Milanos, Veronës dhe Venecias, si edhe pranë Liqeneve më të njohura italiane.
Me pamje nga liqeni romantik dhe i qetë Iseo ndodhet L’Albereta, një pronë Relais & Châteaux dhe një vilë mahnitëse neo-renesanciste, e transformuar me kujdes në një hotel, me katër restorante dhe një Chenot Spa. Këtu, mund të shijoni pamje të mrekullueshme buzë liqenit dhe vende të shumta piktoreske përreth për të provuar një gotë të ftohtë Franciacorta nën rrezet e diellit.

Umbria
Teksa Toscana fqinje merr vëmendjen, Umbria ka ruajtur një hijeshi më të fshehur dhe është ende e pazbuluar. Ajo është po aq e bekuar me peizazhe madhështore me lugina të bukura, plantacione selvi dhe vreshta, me ato perëndime të diellit në nuanca pastel dhe me një kujdes të shtuar sa i përket kulinarisë të njohur në mbarë botën. Perugia, qyteti më i madh i rajonit, ia vlen të vizitohet, veçanërisht qyteti i vjetër, i lartë dhe i pjerrët, që ofron një pamje të gjerë mbi fshatrat umbrianë.
E vendosur në zemër të rajonit, është Borgo dei Conti, një vilë e restauruar me përpikëri nga shekulli XIX plot histori, që paraqet edhe rrënjët e saj artistike (dikur shtëpia e piktorit Rossi-Scotti), kjo u ofron vizitorëve dhoma komode, restorant dhe spa të gjerë në natyrën e harlisur të ullishteve dhe pyjeve përreth.
Piemonti
Duke u kufizuar me Lombardinë dhe Ligurinë, Piemonti është një perlë e fshehur dhe e mrekullueshme në veri të Italisë, me kodra të valëzuara, qytete tërheqëse, kështjella dhe rajone vere të mbrojtura nga UNESCO. Është gjithashtu “shtëpia” e një prej liqeneve më pak të njohur të Italisë, Liqeni Orta, i cili mund të mos ketë famën e Como-s, Gardës apo Maggiore-s afër, por është po aq magjepsës, dhe madje edhe më i qetë e me ritëm më të ngadaltë pasi nuk është edhe aq i njohur.
Në zonën Monferrato, në jug të Piemontit, ndodhet Nordelaia, një fermë 800-vjeçare e transformuar në mënyrë mbresëlënëse. Ka vetëm 12 dhoma dhe suita unike, të dizajnuara individualisht, një pishinë infinity mbi kodër dhe dy restorante (të drejtuara nga Andrea Ribaldone, i cili ka fituar yje Michelin për dy restorante të tjera që ka menaxhuar më parë). Kuzhina përqendrohet te specialitetet rajonale dhe sezonale, ndërsa vendndodhja është mes një kantine funksionale vere dhe një pylli të gjallë.

Me pamje nga Orta, La Darbia është një vend i qetë dhe piktoresk që ofron 20 suita në stil apartamenti, duke kombinuar komoditetin e vilave të pajisura me kujdes për qëndrim unik me mikpritjen e ngrohtë të një hoteli. Por pamjet më të bukura të liqenit shijohen nga pishina me ujë të kripur dhe nga kopshtet mesdhetare e vreshtat përreth.

Ishujt Aeolian
Sardenja, Kapri, Ishia… Italia nuk ka mungesë ishujsh idilikë që ndodhen vetëm pak hapa larg bregdetit të saj. Por, ndërsa shumë vizitorë i drejtohen Siçilisë, shumë më pak prej tyre e njohin arkipelagun mahnitës të Ishujve Aeolian, që ndodhen menjëherë përballë bregut të saj. Këtu gjenden Panarea e vogël, Lipari e gjallë, Alicudi dhe Filicudi të egra, si dhe Salina romantike dhe e harlisur, ku fshatra të bukura dhe natyrë e gjelbër rrethohen nga plazhe me gurë dhe ujëra të kristaltë të Detit Tirren.
Një udhëtim me varkë përreth arkipelagut, i ndriçuar nga vullkani aktiv i Strombolit ofron një nga perëndimet më magjike të diellit, ndërsa trattoria-t e vogla buzë detit shërbejnë pjatat më të freskëta me prodhime deti vendase. Në Salina, hoteli butik Principe di Salina ka vetëm 12 dhoma dhe shkëlqen mbi sfondin dramatik vullkanik të ishullit, veçanërisht me pishinën infinity, e cila është vendosur në mënyrë perfekte për të admiruar pamjet pa fund të Aeolianëve.

Abruzzo
Abruzzo e gjelbër dhe mahnitëse ka kaluar disi pa u zbuluar në Italinë qendrore, duke e ruajtur kështu bukurinë e saj të paprekur dhe duke ofruar një përzierje magjepsëse, nga kodrat dhe vreshtat e harlisura, te arkitektura mesjetare e ruajtur në mënyrë të shkëlqyer dhe fshatrat tradicionale të peshkimit buzë Detit Adriatik.
Vendi më magjepsës për të qëndruar në këtë rajon relativisht të pazhvilluar është Sextantio Albergo Diffuso, një hotel i shpërndarë nëpër fshatin e vogël mesjetar Santo Stefano di Sessanio, i cili ndodhet i mbërthyer në krah të maleve Apenine dhe ruan tërheqjen e së kaluarës. Me një filozofi që synon të ruajë traditat dhe dizajnin lokal, dhomat janë të bukura, me dysheme guri të pabarabarta, krevate prej hekuri të punuar dhe oxhaqe të mëdha.
