Pesë vite pas tragjedisë që i ndryshoi jetën, ish-futbollisti i njohur gjerman Michael Ballack ka folur për herë të parë publikisht për humbjen e djalit të tij, Emilio Ballack, i cili ndërroi jetë në një aksident tragjik në vitin 2021.
18-vjeçari humbi jetën gjatë një pushimi familjar në Península de Tróia, në Portugal, pasi u përfshi në një aksident me quad. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar, i riu ndërroi jetë në vend.
Në një intervistë prekëse për Sky Sport Germany, ish-kapiteni i kombëtares gjermane pranoi se dhimbja mbetet ende e papërshkrueshme.
“Nuk mund ta imagjinoni sa e vështirë është. Është e pamundur ta përshkruash me fjalë. Është një proces i brendshëm, që secili e përballon në mënyrën e vet. Edhe sot e kam shumë të vështirë të flas për këtë. Do të doja të thosha më shumë, por emocionalisht është dërrmuese,” u shpreh Ballack.
Që prej tragjedisë, ish-mesfushori ka zgjedhur të jetë shumë i rezervuar në publik dhe në rrjetet sociale, ku rrallëherë ka ndarë kujtime apo foto të djalit të tij.
Michael Ballack dhe ish-bashkëshortja e tij Simone Lambe kanë edhe dy djem të tjerë, Jordi Ballack dhe Louis Ballack, të cilët kanë qenë mbështetja më e madhe e familjes në këtë periudhë të vështirë.
Edhe pse kanë kaluar disa vite nga ngjarja, për ish-futbollistin gjerman humbja e të birit mbetet një plagë e thellë që vazhdon ta shoqërojë çdo ditë.




