Së fundmi Kim Kardashian ka arritur një tjetër sukses, që shënon edhe një moment të rëndësishëm në jetën e saj, pas gjashtë vitesh studimi intensiv, ajo është diplomuar në degën e Drejtësisë. Themeluesja e “Skims” e shpërndau këtë arritje përmes profilit të saj në Instagram, duke publikuar foto dhe video nga ceremonia e vogël dhe private, e organizuar nga familja dhe miqtë e ngushtë.
“Ju të gjithë keni qenë pjesë e këtij udhëtimi me mua,” u shpreh Kim gjatë fjalimit të saj, duke falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur që prej vitit 2019, kur nisi rrugëtimin e saj në fushën e ligjit. Ceremonia ishte një surprizë totale për të, pasi, sipas një burimi të brendshëm pranë familjes, ajo besonte se po shkonte të konsumonte një mëngjes të zakonshëm familjar, por në të vërtetë e priste një festim i mirëorganizuar nga të afërmit.
Gjatë ceremonisë, Kim kishte veshur një pulovër gri, fund lëkure, çorape të zeza dhe taka të bardha, ndërsa në një moment tjetër u pa me një kapelë bezhë, simbol i diplomimit. Në një nga videot e ndara, ajo shfaqet duke mbajtur diplomën në dorë dhe përqafuar mentorët e saj, të cilët e vlerësuan lart përkushtimin dhe këmbënguljen e saj.

“Para gjashtë vitesh, Kim hyri në këtë program me asgjë tjetër përveç një dëshire të fortë për të luftuar për drejtësinë,” tha një nga mentorët gjatë fjalimit. “Nuk kishte klasa elitare apo rrugë të lehta, vetëm vendosmëri.”
Sipas të njëjtit mentor, Kim i ka kushtuar studimeve 18 orë në javë, për 48 javë në vit, për gjashtë vite rresht, që përkthehet në plot 5,184 orë studimi juridik. Këtë arritje ajo e realizoi ndërkohë që rriti katër fëmijët e saj, drejtoi disa biznese, xhiroi emisione televizive dhe mori pjesë në seanca gjyqësore për të mbrojtur të tjerët. Kim ka qenë gjithmonë transparente për rrugëtimin e saj, duke pranuar se dështoi tre herë në provimin “baby bar” përpara se ta kalonte në vitin 2021, një hap thelbësor drejt praktikimit të ligjit në Kaliforni.
Në drekën pas ceremonisë, fletët e studimit të Kim-it ishin shndërruar në peceta për tryezat, si një mënyrë kreative për të nderuar çdo orë të përkushtuar në mësim. Djali i saj pesëvjeçar, Psalm, mori pjesë i veshur me një kostum bezhë dhe kravatë, frymëzuar nga gjyshi i tij, avokati i ndjerë Robert Kardashian Sr. Ai madje u fotografua me një valixhe në dorë. Ndërkohë, vajza e saj shtatëvjeçare, Chicago, kishte veshur një kostum me vija të zeza, një rikrijimi i veshjes që Kim kishte gjatë vizitës në Harvard në vitin 2023.

Megjithëse ende nuk ka dhënë provimin përfundimtar të avokatisë, Kardashian tashmë ka kaluar provimin e etikës profesionale shumë juridiksionale, një hap kyç drejt licencimit për të ushtruar profesionin e avokatit në Kaliforni.

