Një video e publikuar në rrjetet sociale, që shfaq një apartament tepër të vogël në Paris, ka tërhequr vëmendjen e mijëra përdoruesve dhe është bërë virale në internet.
Pamjet janë shpërndarë në Instagram nga Sebastian Hedberg, i cili viziton apartamentin së bashku me qiramarrësin e tij. Ky i fundit pretendon se jeton në atë që e cilëson si “apartamenti më i vogël në Paris”, për të cilin paguan rreth 600 euro qira në muaj.
Teksa afrohen pranë ndërtesës, Sebastiani komenton arkitekturën karakteristike të zonës, duke thënë se godina ka pamjen tipike pariziene.
Gjatë videos, ai pyet nëse ndërtesa ka ashensor, por merr përgjigjen se për të arritur në apartament duhet të ngjiten plot 134 shkallë. Me humor, Sebastiani e përshkruan këtë si “stërvitjen e ditës”.
Edhe pse hapësira e brendshme është jashtëzakonisht e kufizuar, elementi që ka tërhequr më shumë vëmendje është ballkoni i apartamentit, i cili ofron një pamje të veçantë dhe konsiderohet pika më e fortë e ambientit të vogël.
