E bija e Michael Jackson, Paris, ka kritikuar një film biografik që po realizohet për babain e saj. Ajo pretendon se është ‘zero për qind e përfshirë’ në të.
Ky koment i 27-vjeçares vjen dy ditë pasi aktori i njohur, Colman Domingo, i cili luan patriarkun e familjes Joe Jackson në filmin Michael, lavdëroi kontributin e Paris-it.
Domingo tha se Paris ka qenë “vetëm e dashur dhe e ngrohtë” me të. “Jam i emocionuar të jem këtu sonte në AmfAR me Paris-in”, tha ai, gjatë një eventi në festivalin e filmit në Venecia.
Ndërkohë të martën në mbrëmje, Paris reagoi në profilin e saj në ‘Instagram” për të hedhur poshtë versionin e ngjarjeve të Domingo-s.
“Mos u thuaj njerëzve që unë isha ‘ndihmuese’ në xhirimet e një filmi ku kisha zero për qind përfshirje, kjo është shumë e çuditshme”, shkroi këngëtarja dhe aktorja e njohur.
“E lexova një nga versionet e para të skenarit dhe dhashë komentet e mia për atë që ishte jo e ndershme/ nuk më tingëllonte mirë, dhe kur ata nuk i morën parasysh, vazhdova me jetën time. Thjesht u tërhoqa dhe e lashë sepse nuk është projekti im. Ata do të bëjnë çfarëdo që do të bëjnë. Një nga arsyet kryesore pse nuk kam thënë asgjë deri tani është sepse e di që shumë prej jush do të jeni të lumtur me të. Një pjesë e madhe e filmit i përket një pjese shumë specifike të fansave të babait tim që ende jetojnë në fantazi, dhe ata do të jenë të lumtur me të”, vijoi Paris në reagimet e saj.
Më pas, artistja kritikoi modelin e filmave biografikë “të zbukuruar” të Hollywood-it në përgjithësi:
“Ka shumë pasaktësi dhe shumë gënjeshtra. Kjo nuk më përshtatet mua. Shkoni, shijojeni. Bëni ç’të doni. Më lini jashtë kësaj”.
Filmi biografik, që është prodhuar në bashkëpunim me trashëgimtarët e familjes Jackson, është në zhvillim që të paktën që nga viti 2019.
Jaafar Jackson, nipi i Michael Jackson, do të debutojë në film si ylli i pop-it në këtë biografi, ndërsa në kast do të jenë gjithashtu Miles Teller, Nia Long dhe Kat Graham. Michael pritet të dalë më 24 prill 2026.