Në Scanno, një fshat mesjetar në Italinë qendrore, një grua jeton sikur koha të mos ketë ecur kurrë. Në moshën 94-vjeçare, Margherita Ciarletta, e zgjuar, jashtëzakonisht e pavarur dhe e kujdesshme për privatësinë e saj, është e vetmja që vesh çdo ditë kostumin tradicional shekullor të Scannos. Turistët që enden nëpër rrugicat me kalldrëm nuk vijnë vetëm për pamjet malore apo kishat e stolisura. Ata kërkojnë “Nonna Margherita”, ose siç e quajnë vendasit, “L’Ultima Regina”, Mbretëresha e Fundit.
Shpesh ata trokasin në dyert e fshatit derisa ta gjejnë dhe të bëjnë “selfie” me të. Por Ciarletta nuk e do vëmendjen. Që prej moshës 18-vjeçare, ajo ka veshur të njëjtin model fustani prej leshi të errët me mëngë të gjata dhe shami pambuku. “Më ka pëlqyer gjithmonë kjo veshje, jam krenare që e mbaj”, tregon ajo. Prej shekujsh, gratë e Scannos kanë pasur dy garderoba: njërën, fustanin e thjeshtë për punët e arave dhe shtëpisë, si ai që mban sot Ciarletta dhe tjetrën, një kostum festiv të qëndisur me jelek të zbukuruar dhe kapelë, që tregonin statusin shoqëror dhe visheshin të dielave në kishë, në festa e kremtime fetare.
“Ky ka qenë dhe mbetet veshja ime e zakonshme e përditshme”, thotë ajo. “Bashkëshortit nuk i ka pëlqyer kurrë, por kjo nuk më ndaloi ta vesh çdo ditë, si në punët e fushës, ashtu edhe në festa”, shton Ciarletta. Pas vdekjes së dy motrave të saj, që gjithashtu vishnin tradicionalisht, Ciarletta mbeti gruaja e fundit në Scanno që ruan këtë zakon. Autoritetet lokale po kërkojnë që këto kostume të njihen nga UNESCO si trashëgimi kulturore jomateriale.
Ciarletta ka lindur në Scanno dhe nuk është larguar kurrë. Jeton në të njëjtën shtëpi prej guri që nga viti 1950 dhe, pavarësisht moshës së shtyrë, vazhdon të kryejë punët e përditshme pa ndihmë, duke përdorur vetëm ndonjëherë shkopin e ecjes. “I bëj të gjitha vetë”, thotë ajo. “Në mëngjes pastroj kopshtin, gatuaj dhe bëj një shëtitje të shkurtër. Kaloj kohë duke biseduar me miq, fqinj e familjarë”. Megjithatë, ajo e ka lënë zakonin e vjetër për të shkuar çdo mëngjes në bar për një ekspres.
Kur nipërit e mbesat e vizitojnë shpesh, Margherita thotë se i pëlqen të gatuajë makarona të freskëta dhe gnocchi me hithra, një specialitet i Abruzzos, i njohur për kuzhinën e tij të ashpër. “Janë të mrekullueshëm, më mbajnë gjithmonë nën kujdes. Jam me fat që i kam”, shton ajo. Fakti që është kthyer në një atraksion turistik nuk i sjell gjithmonë rehati. Ciarletta ka refuzuar ekipe televizive dhe megjithëse pranon shumicën e vizitorëve dhe nuk shqetësohet të fotografohet për Instagram, një herë ka ndjekur pas pushues që hynë pa leje në pragun e saj.
Ajo flet italishten standarde, jo dialektin që disa të moshuar përdorin për të mbajtur larg të huajt. Është e afërt, por me kushtet e saj. “Meqë jam e fundit që vesh këtë kostum, njerëzit vijnë për të bërë foto me mua. Por ndonjëherë janë shumë dhe bëhen bezdisës”. Ciarletta ka parë ndryshime të mëdha ndër vite. Dikur Scanno ishte i pasur, me familje fermerësh që garonin për të ndërtuar pallate, kisha e shatërvanë madhështorë. Rrugicat e ngushta janë një labirint pallatesh të stilit barok, romak e gotik, pranë banesave modeste.
Ajo thotë se jeta që ka njohur në rini ka humbur prej kohësh. Atëherë, ditët i kalonte në kullota, duke ruajtur delet, mbledhur dru, mbjellë fara, punuar arat dhe korrur prodhime. “Dikur punonim shumë, tani puna ka mbaruar. Ishte jetë e vështirë, por gjithmonë ishim bashkë”, thotë ajo. Sot, ndjen mungesën e disa zakoneve, të burrit që i ka ndërruar jetë, të fqinjëve dhe miqve me të cilët dikur hante çdo ditë. “Nuk kam qenë kurrë vetëm. Sot ndonjëherë jam vetëm”.
Ajo e vlerëson komoditetin dhe lehtësinë që i ka sjellë koha moderne. “Kam punuar gjithë jetën në fusha deri në moshën 70 vjeçe, duke u kujdesur edhe për bagëtitë e familjes. Ishte punë e lodhshme fizikisht”, thotë ajo. “Jeta që bëj tani është më e mirë se ajo që bëja dje; kam kohë për veten dhe pushoj. Kam mësuar ç’është çlodhja”. “Kam shumë kohë të lirë, nuk ka lodhje, as vuajtje fizike si më parë. Më pëlqen të jem gjyshe, jam e lumtur me jetën time”.