Këngëtari i njohur, Erik Lloshi, ka qenë ditën e sotme i ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ku ka treguar detaje nga jeta e tij profesionale dhe ajo private.
Moderatori i njohur e pyeti këngëtarin se pse nuk e kemi parë ende në “Big Brother VIP” dhe shtoi nëse mund t’a shohim në edicionin e ardhshëm?
Erik Lloshi tregoi se ka patur ftesë por pjesëmarrja në reality show mund të ishte fatale për të. Këngëtari zbuloi se edicionin e kaluar ai kishte vendosur që të nënshkruante kontratën me stafin, por në momentin e fundit ka reaguar bashkëshortja e tij.
“Nëse ti futesh në Big Brother, bëj gati divorcin. Mua nuk më pëlqejnë këto gjëra, nuk i kam qejf”, i ka thënë gruaja, e për këtë arsye ka vendosur që të mos marrë pjesë në BBV.
“Nuk mund të them që nuk ka qenë dëshira ime, edhe ftesën e kam pasur. Po të tregoj për vjet, një histori që është e bukur, por mund të ishte dhe fatale për mua. Në momentin që mora vendimin për t’u futur në “Big Brother”, ose më saktë për të shkuar të nënshkruaja kontratën me stafin, më doli gruaja përpara dhe më tha: ‘Nëse ti futesh në “Big Brother”, bëj gati divorcin.” Është e vërtetë kjo. Tha: ‘Bëj gati divorcin, se mua nuk më pëlqejnë këto gjëra, nuk i kam qejf.’ Dhe në fund unë zgjodha familjen, patjetër. Dhe unë mendova se po bënte shaka, por e kishte me të vërtetë shumë seriozisht. Nuk e di se me çfarë mendje është këtë vit, por…
Ka disa njerëz që i përballojnë gjërat e partnerit, ka dhe që nuk i përballojnë. Romina është një lloj personi që ka zgjedhur të bëjë një jetë komplet tjetër, do një jetë larg mediave, edhe pse është një nga personat më të artikuluar që unë kam njohur ndonjëherë. Në një intervistë që kemi qenë me dikë, i ka thënë që nëse do bënte ndonjë emision në radio, do bënte goxha emër. Ka qenë vetëm dy herë pjesë e intervistave të mia dhe është betuar që nuk vjen më kurrë, sepse nuk i pëlqen vëmendja fare”, tha këngëtari i njohur.