Këngëtari i njohur, Sardi Strugaj, ishte mëngjesin e kësaj të hëne i ftuar në emisionin “Wake Up”. Artisti foli për dy projektet e ti më të fundit, “Për ty dehem” dhe “Ti shko”.

Por jo vetëm kaq, pasi foli edhe për jetën e tij personale si dhe për pritshmëritë që ka për vitin 2026.

I pyetur se pse ka zgjedhur që të jetë i tërhequr nga daljet televizive, Strugaj u shpreh se merr shumë ftesa për intervista nga televizione të ndryshme, por që i duket pak e tepërt që të dalë tek të gjitha.

“Por krijon hatërmbetje nëse i shkon dikujt e dikujt tjetër jo. Nuk i kam shumë qejf daljet televizive, as kamerat. Dikur nuk dilja në klipet e këngëve të mia. Pija kafen kudo, nuk më njihnin. Kjo pjesa e ekspozimit të tepërt më bezdis pak. Prandaj intervistat e mia janë më të rralla. Këtu tek ju nuk them dot ‘jo’”, u përgjigj këngëtari i njohur.

Ndërsa pyetjes a ‘ndihesh i realizuar?’, Sardi tha:

“Jam natyrë që nuk kënaqem kollaj. Ndihem që kam bërë punë shumë të mira, falë kësaj pune të palodhur jam këtu ku jam. Po nxjerr këngë vazhdimisht, po rris audiencën që më ndjek. Ndihem i kënaqur por jo plotësisht. Që të jem 100% i kënaqur është pak e vështirë. Jam gjithmonë kritik. Ia di shumë mirë të gjitha vlerat vetes, ia di arritjet, por është me natyrë”.

Ndërsa për pritshmëritë për vitin 2026, ai u shpreh shumë pozitiv dhe thënë ‘mendoj do jetë super vit’.

Këngëtari u pyet gjithashtu në lidhje me edicionin e pestë të “Big Brother VIP”, i cili do të nisë tani në dhjetor.

“Ta lë kështu të hapur… Po më provokonte një shok para ca kohësh dhe më tha që e kishte marrë vesh, i kishin ardhur disa informacione që do jem pjesë e “Big Brother”. I thashë që nuk më lejohet ta them, e kemi në kontratë (qesh). E bëj shpesh, që i ngacmoj njerëzit. Gjithmonë më pyesin dhe ia lë të hapur. Do e shihni”, u përgjigj Sardi.