“Kushdo që arrin të humbasë 50 kilogramë për vetëm 3 muaj, do të shpërblehet me një makinë luksoze “Porsche Panamera” me vlerë reth 155 mijë dollarë amerikanë”. Kjo është sfida më e çuditshme e vitit e shpallur nga një palestër në Kinë.
“The Economic Times” shkruan se sfida në fjalë është lançuar nga një qendër fitnesi në provincën Shandong dhe ka bërë bujë të madhe në rrjetet sociale kineze.
Regjistrimi për këtë “garë të çmendur” kushton 10 mijë juanë (rreth 1,400 dollarë), dhe përfshin ushqimin, stërvitjen dhe akomodimin për tre muaj.
Por, edhe pse shumë njerëz e kanë parë si mundësinë e jetës për të humbur peshë dhe për të fituar një makinë super luksoze, mjekët kanë ngritur alarmin për pasojat e rënda që mund të ketë një humbje kaq e shpejtë peshe.
Ekspertët theksojnë se humbja e 50 kilogramëve në 90 ditë kërkon një deficit ekstrem kalorish dhe mund të çojë në dëmtime serioze të organeve, rënie flokësh, çekuilibër hormonal dhe madje edhe rrezik për jetën.
Një mjek i cituar në rrjetet sociale kineze e përshkroi sfidën si “një lojë me shëndetin për pak publicitet”.
Ndërkohë në internet, reagimet kanë qenë të përziera: disa përdorues kanë komentuar me humor se “vetëm skeleti do të marrë Porsche-n”, ndërsa të tjerë e quajnë “një strategji marketingu gjeniale për të mbledhur para nga tarifat e regjistrimit”.
Megjithatë, pavarësisht kritikave, palestra pretendon se sfida është reale dhe tashmë janë regjistruar dhjetëra persona që synojnë të provojnë fatin e tyre, dhe të marrin çelësat e makinës luksoze.




