Klubi spanjoll RC Celta de Vigo i ka drejtuar një letër të hapur këngëtares së njohur Madonna, duke i kërkuar ndihmë për të zbuluar fatin e një fanelle historike që ajo veshi gjatë një koncerti në stadiumin Balaídos në vitin 1990. Ngjarja daton më 29 korrik të atij viti, kur Madonna ishte në Europë me turneun e saj të famshëm “Blond Ambition Tour”. Një nga ndalesat e turneut ishte pikërisht stadiumi Balaídos në Vigo, shtëpia e ekipit Celta. Gjatë performancës, artistja u shfaq në skenë e veshur me një fanellë të klubit, me numrin 5 në shpinë, që i përkiste futbollistit Juan Carlos Espinosa.

Momenti u fotografua nga fotografi Víctor de las Heras dhe imazhi u kthye në një kujtim të veçantë për tifozët e klubit. Megjithatë, askush nuk e di se ku përfundoi ajo fanellë pas koncertit, ndaj Celta ka nisur kërkimet për ta gjetur.

Fillimisht klubi u bëri apel tifozëve për ndihmë, ndërsa më pas vendosi t’i drejtohej drejtpërdrejt këngëtares me një letër të publikuar edhe në rrjetet zyrtare të klubit. Letra është firmosur nga presidentja e Celta-s, Marián Mouriño, e cila i kërkon Madonna-s nëse ka ndonjë informacion për fanellën.

“Ky kujtim vazhdon të jetojë mes tifozëve tanë. Fotografia jote me fanellën e Celta-s është bërë një simbol dhe tashmë është pjesë e historisë sonë, duke shkuar përtej vetë futbollit,” thuhet në letër. Presidentja thekson gjithashtu se, edhe pse Madonna ka veshur fanella të ndryshme futbolli në skenë, ajo e Celta-s ka marrë një domethënie të veçantë me kalimin e viteve. Sipas saj, momenti simbolizon shpirtin rebel dhe mënyrën se si artistja sfidonte rregullat dhe pritshmëritë e kohës.

Ndërkohë, klubi ka njoftuar se në ndeshjen e ardhshme të kampionatit që do të zhvillohet në stadiumin Balaídos do të organizohet edhe një homazh për Madonna-n, duke kujtuar atë moment ikonik që mbetet ende i gjallë në historinë e Celta Vigo.