Marty Jo Zambotto, i njohur me emrin artistik Go-Jo, është një këngëtar, kompozitor dhe producent muzikor me origjinë franceze dhe australiane, i cili këtë vit përfaqësoi Australinë në Eurovision me këngën “Milkshake Man”. Ai do të ngjitet në skenë sonte, në gjysmëfinalen e dytë, dhe sipas parashikimeve të agjentëve të basteve, ka shumë gjasa të sigurojë një vend në finalen e madhe. Edhe pse gjeografikisht jashtë Evropës, Australia është pjesë e Eurovisionit prej disa vitesh. Kjo, sepse konkursi është jashtëzakonisht i ndjekur dhe popullor në Australi, ndoshta më shumë se në shumë shtete evropiane.

Për shkak të këtij popullariteti, organizatorët e festivalit vendosën që Australia të ftohej si pjesëmarrëse. Në vitin 2014, ajo u ftua për të performuar si pjesë e programit argëtues, ndërsa në vitin 2015 mori për herë të parë pjesë në garë si konkurrente zyrtare. Atë vit, Australia u përfaqësua nga Guy Sebastian me këngën “Tonight Again”, duke përfunduar në vendin e pestë. Megjithëse fillimisht ishte planifikuar të merrte pjesë vetëm në vitin 2015 dhe vitin pasardhës vetëm nëse do të fitonte, vendi ka vazhduar të jetë pjesë e pandërprerë e garës. Në vitin 2016, Australia arriti një tjetër sukses të madh duke përfunduar e dyta, falë këngës “Sound of Silence” të interpretuar nga Dami Im.

Australia nuk ka të njëjtin status si vendet e ashtuquajtura “Pesëshja e Madhe”; Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar të cilat kualifikohen automatikisht për në finale. Si të gjitha vendet e tjera, ajo duhet të kalojë nëpërmjet fazave gjysmëfinale. Por, ka një tjetër rregull të veçantë. Nëse Australia fiton ndonjëherë Eurovisionin, nuk mund ta organizojë konkursin në territorin e saj. Për shkak të distancës së madhe dhe diferencave të mëdha kohore, organizimi i një festivali të tillë global në Australi do të ishte logjistikisht i pamundur.