Ilnisa Agolli kishte të ftuar në puntatën e parë të edicionit të dytë të podkastit “Flet”, Sali Berishën. Ish-kryeministri erdhi në një intervistë ndryshe ku foli pa doreza.
Kryetari i Partisë Demokratike u pyet për fëmijërinë, rininë, familjen dhe politikën, ku nuk ngurroi që të jepte përgjigje të sinqerta.
Por jo vetëm kaq, pasi Ilnisa e bëri edhe pyetje ‘pikante’ në lidhje me ‘mëkatet e Doktorit’, e Berisha menjëherë tha ‘të shumta, lëri mos i numëro’.
Pjesë nga intervista:
Kalojmë te ‘mëkatet e Doktorit’…
Të shumta, lëri mos i numëro. Mëkatarë dhe jo mëkatarë, vdekatarë dhe jo vdekatarë, është një debat i vjetër. Kështu që unë thashë të shumta, kur përmende mëkate.
Kush është pendesa juaj më e madhe?
E kam peng ligjin e tokës.
Interesante
Sepse te ligji i tokës, unë eca kundër ndërgjegjes sime. Pse eca kundër ndërgjegjes sime? Po të na kthesh në vitet ’90, Enver Hoxha në dy gjëra ka pasur sukses të padiskutueshëm. E para, në imponimin e ateizimit, edhe sot një pjesë e shoqërisë shqiptare është ateiste, është trashëgimi e asaj kohe.
Je dakord me këtë?
Nuk jam dakord me këtë. Besoj se besimi te Zoti është një pasuri e madhe për njeriun. Por secili ka të drejtë të bëjë zgjedhjen e tij. E dyta, te prona. Personalisht nuk kisha kurrë ndonjë koncept tjerët përveç se prona e të zotit. Atij po të mos i jepje një copë tokë, nuk kishte se ku të jetonte. Dhe aty zbatuam parimin e Jeffersonit, parim që toka i jepet atij që e punon dhe jeton aty.
A fal Sali Berisha?
Padiskutim. Nuk shkoj kurrë me hakmarrje. Nëse ndjek hakmarrjen, vetëm në politikë nuk duhet të jesh. Sepse hakmarrja shkon në gjëra personale dhe nëse shkon në gjëra personale në politikë, ti atëherë nuk u shërben dot qëllimeve të tua. Nuk i shërben dot atyre që duhet t’u shërbesh.
E djeshmja, e sotmja, e nesërmja është segmenti i fundit…
E nesërmja, magneti im! Kaq!
Më pëlqeu shumë kjo! Nëse nesër bëhet një libër apo një film për ju, çfarë titulli do t’i vendosnit? Çfarë emri do t’i vinit rrugëtimit tuaj?
Cilindo titull që të donte autore. Liria e fjalës dhe e mendimit është ligji dhe zgjedhja. Në ’90, në një intervistë, jam shprehur: S’e them liri se është zgjedhja. Në fakt është koncepti i ekzistecializmit, unë lexoja me shumë dëshirë ekzistencialistët në atë kohë. Kështu që thelbi i lirisë është zgjedhja. Le të zgjedhin cilindo, janë të lirë.