BEST OF LIVE FROM TIRANA
E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë psikologia Besarta Taçi. Ajo ka folur më shumë mbi rritjen e dëshirës seksuale në verë, tabutë rreth seksit, por jo vetëm…
A kanë jetë të shëndetshme dhe të lumtur seksuale çiftet e martuar shqiptarë?
Kjo është një temë shumë delikate, sepse jeta seksuale e një çifti nuk është asnjëherë njësoj dhe nuk duhet të jetë njësoj. Kur them që nuk duhet, është e shëndetshme të mos jetë njësoj. Por njerëzit mesatarë rrojnë me iluzionin e asaj çfarë ka qenë në vitin e parë të marrëdhënies, ku aspekti hormonal, fizik, sigurisht që ka ndikuar në atë që ka qenë një seksualitet superaktiv. Pastaj pas seksualiteti dhe arsyeja se pse çifti vazhdon të jetë bashkë, është sepse i lëmë hapësirë asaj që quhet dashuria. Pra truri i cili quhet limbik, ka të bëjë me komunikimin, me krijimin e familjes, me dëshirën për të qenë bashkë, me projektet në të ardhmen. Të gjitha këto ndryshojnë seksualitetin, ndryshojnë dëshirat dhe ndryshojnë marrëdhënien. Ideja është që trupat janë po ato, pozicionet janë po ato, ajo që ndryshon gjithmonë dhe që e bën ndryshe, është fjala, komunikimi. Mendja jonë duhet që përpara ta krijojë, ta imagjinojë, pastaj duhet ta shprehë. Dhe në momentin që mendja e krijon dhe e shpreh me atë personin tjetër, pra ekziston ky tranzicioni tjetër nga mendja ime tek mendja jote, aty krijohet sinkronizimi. Nëpërmjet të folurës dhe mënyrës se si fliten dhe si shprehen, mund të ndodhë pastaj dhe realizimi i fantazisë. Por ne nuk mund të shkojmë tek akti performativ, sjellor, trupor, pa aktivizuar dëshirën. Dëshira është mbretëresha e seksualitetit. Pra funksionon në këtë formë, dëshirë, eksitim, orgazëm dhe pastaj vjen një kënaqësi totale. Ky është cikli, pa dëshirën ne nuk arrijmë asnjëlloj kulmi, orgazmën. Orgazma, përveç se aktivitetit fizik që ndodh, që është një eksperiencë shumë subjektive dhe sigurisht që ka aspekte pastaj dhe fizike, por francezët e konsiderojnë si një vdekje e vogël dhe e shkurtër. Kjo do të thotë një humbje totale të kontrollit, pra unë e lë veten time në dorë totale të dikujt tjetër. Dhe personat që kanë ankth dhe depresion, nuk e arrijnë kurrë. Personat me diabet kanë vështirësi, personat me mbipeshë kanë vështirësi dhe unë mund të vazhdoj pafundësisht. Kështu që të gjithë këto persona që përmenda, që janë arsyet kryesore të humbjes së dëshirës dhe mungesës së orgazmës, kanë probleme në lidhje me seksualitetin. /Top Albania Radio/