Pamela Anderson dhe Tom Cruise janë vendosur në qendër të vëmendjes së mediave të huaja pas thashethemeve për një romancë të re në Hollywood.
Sipas spekulimeve të fundit, aktorja ikonike duket se ka tërhequr vëmendjen e yllit të madh të kinemasë.
Burime pranë tyre sugjerojnë se gjithçka nisi pasi 63-vjeçari u impresionua nga rikthimi i fuqishëm i 58-vjeçares në ekran, përmes filmit “The Last Showgirl”.
“Filmi i bëri njerëzit t’a shohin Pamelën në një mënyrë krejt tjetër përfshirë edhe Tomin”, ka treguar një burim për mediat. Që prej asaj kohe, dy aktorët thuhet se kanë qenë në kontakt, duke shtuar edhe më shumë dyshimet për një lidhje të mundshme.
Sipas të njëjtit burim, mes tyre ekziston “një shkëndijë e dukshme”, e cila nuk ka kaluar pa u vënë re nga rrethi i tyre. Madje, njerëz të afërt me Cruise kanë komentuar për këtë afrimitet, duke e bërë situatën edhe më intriguese për publikun.
Nga ana tjetër, jeta personale e Anderson ka qenë shpesh në fokus. Ylli i “Baywatch” u përfol më herët për një romancë me aktorin Liam Neeson, pas kimisë së dukshme mes tyre gjatë promovimit të filmit “The Naked Gun”.
Dyshja madje kaloi kohë së bashku, por më vonë Anderson sqaroi se bëhej fjalë vetëm për një periudhë të shkurtër dhe jo për një lidhje serioze.
Burime të tjera shtojnë se Anderson është aktualisht në një fazë të re në jetën e saj, ku është më e hapur ndaj dashurisë dhe eksperiencave të reja.
“Ajo po i jep një shans dashurisë”, thuhet në raportime, duke lënë të kuptohet se një lidhje e re nuk është aspak e pamundur.
Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga vetë protagonistët.



