Një incident aspak i këndshëm ka ndodhur gjatë një fluturimi me avion, ku një pasagjer ka ngacmuar me dorë një grua që po flinte. Më pas ai i ka dhënë një shënim të frikshëm, thuhet në të dhënat e gjykatës.

Sipas një padie penale federale, 48-vjeçari Guillaume Sebastien Roger Mattler, është akuzuar për një akuzë për kontakt seksual abuziv.

Duke u bazuar te dokumentet e gjykatës, “New York Post” shkruan se ai ishte ulur pranë një 29-vjeçareje në një kabinë të klasit të parë. E teksa ajo flinte, burri në fjalë dyshohet se u përpoq të lëvizte gishtat nën rrobat e viktimës.

Sulmi i dyshuar thuhet se u filmua në kamera nga dy pasagjerë të tmerruar në fluturimin LX64 të Swiss International Air Lines për në Miami.

“Dëshmitari 2 vëzhgoi Mattler duke lëvizur dorën në një lëvizje ‘nëndetëseje’, sikur të përpiqej ta fuste dorën nën rrobat e viktimës ose midis këmbëve të saj”, shkroi një agjent special i FBI-së në një deklaratë.

Në deklaratë thuhet se, pasagjeri u shqetësua shumë dhe njoftoi ekuipazhin e kabinës. Gruaja, e cila nuk e njihte Mattler, nuk kishte idenë për sulmin e dyshuar që kishte ndodhur ndërsa ajo flinte, thanë autoritetet. Vetëm kur një stjuardesë i tregoi për incidentin e supozuar, gruaja e re filloi të dridhej dhe të qante.

Në një zhvillim edhe më tronditës, i akuzuari u kthye në vendin e tij dhe i dha viktimës një shënim ku shkruhej: “Dukesh bukur kur je duke fjetur”.

Francezi pretendoi se “nuk kishte ndodhur asgjë” gjatë fluturimit.

Kur u përball me prova video, ai thuhet se pranoi se “e kishte prekur gruan që ishte ulur pranë tij dhe nuk mendonte se ishte ndonjë gjë e madhe”, sipas dokumenteve gjyqësore. Ai deklaroi se kishte prekur “vetëm” pjesën e poshtme të shpinës dhe të pasmet e saj, sipas dokumenteve.

Kur hetuesit i theksuan se dëshmitarët e kishin parë, ai raportohet të ketë thënë se “preku gjithçka që mund të arrinte nga ana tjetër e mbështetëses së krahut”. Mattler pritet të rikthehet në gjykatë të hënën, pas seancës së tij të parë javën e kaluar.