Agron Llakaj do të rikthehet pas 16 vitesh në “Portokalli”. Artisti merr drejtimin e spektaklit më të madh të humorit në Shqipëri, ku krahas rolit të drejtuesit, do të ngjitet në teatrin e Top Channel si moderator dhe aktor.
“Me mbështetjen e Lorit dhe Top Channel, mendoj se kemi të gjitha mundësitë që Portokalli të rimarrë ngjyrimin e atij që e themeloi, që i vuri këtë emër kaq të bukur. Unë isha i pari që erdha dhe ky rikthimi im, është si rikthimi i Odisesë… por unë nuk jam Odise Llakaj, jam Agron Llakaj. Mendoj se e qeshura ofron dashuri dhe ky është një mision shumë i madh për vetë kohën, ku mendoj se ka shumë urrejtje”, u shpreh Agron Llakaj.
Me përvojën prej disa dekadash, Agron Llakaj rikthehet me risi dhe surpriza që do të mbajnë mbërthyer publikun çdo të diel pas ekranit dhe do të mbushë teatrin më të madh të humor, që këtë sezon vjen me shfaqjet live çdo të premte.
“Portokallia është tani shtëpia e vetme e humorit në Shqipëri dhe përveç kontributeve dhe energjisë që kanë përcjellë aktorët, ardhja ime nuk është nisje nga zero, por bashkim i energjive që këtë shkëlqim që të ofron Top Channel, vij me energjinë dhe eksperiencën që ky shkëlqim të rritet më shumë. T’i kthehemi publikut që duhet të na vijë javë për javë, duke bërë bashkë të gjitha brezat që dëshirojnë një humor cilësor”, tha humoristi.
Përmes satirës, skeçeve, situatave komike dhe shumë karaktereve, Portokalli do të trajtojë problemet dhe zhvillimet dinamike në vend dhe botë, duke bërë publikun të qeshë, po aq sa të reflektojë
“Humori është vëzhgues i realitetit. Nuk ka pak probleme Shqipëria, ‘përbërësit’ janë që ne të bëjmë gjellë cilësore. Sa i takon politikës, botërore, që në momentin që kam ardhur, ky sinjal i ka shkuar Trump. E ka pritur mirë, mendoj se do kemi bashkëpunim të mirë më Amerikën. Ai ka dashur që ta quajmë “Orange”, por unë këmbëngula që ta quajmë ‘Portokalli’”, u shpreh Llakaj.
Ky sezon i ri do të sjellë po ashtu emra të rinj. Kushdo që ka talent në aktrim, imitim apo në shkrimin e skeçeve, mund të bëhet pjesë e audicioneve nga data 2-16 shtator.
“Do të vijnë dhe do të kenë një dritare tyren, që do ta quajmë ‘dritarja e talentit të ri’ dhe nëse deri në dhjetor do të kenë talentin dhe fuqinë për t’u bërë pjesë e “Portokalli” janë të mirëseardhur”, përfundoi Agron Llakaj.
Premiera e “Portokalli” mban datën 2 tetor për publikun që dëshiron të shikojë shfaqjen live dhe 4 tetor për shikuesit në ekranin e Top Channel./ Top Channel
