I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë deputeti i partisë “Mundësia”, Erald Kapri, për të diskutuar mbi çështjen e Agron Shehajt, i cili rrëmbeu marrëveshjen konfidenciale me SHBA-të në Kuvend dhe iku me vrap. Ndërkohë, këshilltarja që e ndoqi deputetin, u rrëzua nga shkallët dhe pësoi lëndime.

Kapri: E gjithë propaganda që bëri qeveria është e pështirë. E pështirë ishte. Aty ndodhi një incident fatkeqësisht që një zonjë, punonjëse e Kuvendit, u rrëzua tek shkallët. Videoja që doli, është videoja e sigurisë që ka parlamenti. Dhe këta e morën videon e sigurisë dhe e qarkulluan në media. Imagjinoje se çfarë i bëjnë parlamentit këta! Si mund të marrësh ti videon e sigurisë dhe atë zonjën e dhunuan për së dyti herë. 

Sharka: Kush e dhunoi?

Kapri: Qeveria. 

Sharka: Qeveria?

Kapri: Po, patjetër, se e nxori në media.

Sharka: Jo zoti Shehaj?

Kapri: Si e dhunoi zoti Shehaj?

Sharka: Po të paktën, një njeri që i prevalon empatia përballë egos personale, mund të kthejë kokën kur sheh një grua që rrëzohet.

Kapri: Agroni nuk e pa që u rrëzua. Kur e morëm vesh, sigurisht e ka telefonuar. I ka ardhur shumë keq. E ka pyetur nëse është mirë dhe çfarë ndodhi dhe ka shprehur keqardhjen për atë që ndodhi. Zonja ka një dëmtim të lehtë.

Sharka: Për mua ajo është një heroinë, një grua që ndjek një deputet.

Kapri: Çdo grua është heroinë. Zonja po prentendonte që po bënte detyrën. 

Sharka: Gjë që e ka bërë. Për mua ajo dje ka qenë mbi PD, mbi PS. Ajo është heroina e ditës, të ruash dokumentet e shtetit që duhet të jenë sekrete…

Kapri: Ata bënë një trick shumë të shëmtuar dje. Sollën vetëm një kopje në parlament. Dhe i kërkonin Agronit që “na e kthe se nuk kemi tjetër”. Ndaj dhe po e kërkonte punonjësja Agronin. Ndërkohë që dokumenti duhej të printohej dhe t’i vihej në dispozicion çdo deputeti që e kërkonte duke nënshkruar deklaratën e konfidencialitetit që ka parlamenti.