Mary Lea Trump është psikologe klinike dhe jeton në Nju Jork. Mbiemri i saj nuk të çon në gabim: ajo është vërtet e afërme e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Ajo është vajza e Fred Trump Jr., vëllait të madh të ndjerë të manjatit. Me fjalë të tjera, Mary Lea është mbesa e njeriut më të fuqishëm të Amerikës.
Të dy nuk komunikojnë me njëri-tjetrin që prej vitit 2017. “Xhaxhai im Donald është misogjin. Ai nuk i respekton gratë. Ka probleme me to, veçanërisht me gratë e forta”, tha ajo në një intervistë për gazetën italiane Corriere della Sera, duke iu referuar përplasjes së fundit mes manjatit dhe Giorgia Meloni.
Më tej ajo shtoi: “Ai është një njeri në rënie, nga pikëpamja njohëse, psikologjike dhe emocionale.” “Ka çrregullime psikiatrike, i intereson vetëm vetja” Sipas mbesës së tij, presidenti amerikan “vuan prej dekadash nga çrregullime psikiatrike të padiagnostikuara dhe të patrajtuara, të cilat me kalimin e kohës vetëm mund të përkeqësohen”.
Më pas ajo i ashpërson edhe më tej kritikat: “Ai po përjeton një rënie të fortë njohëse. Vetëm kjo do të mjaftonte që kjo periudhë të ishte më e keqe për të dhe për ne, por kësaj i shtohet fakti se sot ai ka shumë më tepër pushtet. Donaldit nuk i intereson çfarë u ndodh të tjerëve, përveç vetes së tij. Sa më i dëshpëruar të bëhet, aq më keq do të jetë për ne, sepse nëse mendon se po fundoset, do të na tërheqë të gjithëve me vete.”
“Po humbet kontrollin dhe do të përkeqësohet edhe më shumë” “Është një njeri thellësisht i pasigurt. Po humbet kontrollin mbi veten dhe po bëhet gjithnjë e më e qartë se nuk e di çfarë po bën, ndërsa po krijon probleme nga të cilat nuk arrin të dalë. Kjo e bën edhe më të dëshpëruar”, shpjegon Mary Lea për gazetën Corriere della Sera.
“Ajo që i shkon ndër mend të bëjë është vetëm të fajësojë të tjerët. Ai do të përkeqësohet në çdo aspekt. Do të vazhdojë të sulmojë këdo. Kjo nuk do të përfundojë mirë.”
“Xhaxhai im shqetësohet për dy gjëra”. Sipas mbesës së tij, kjo përshkallëzim i sulmeve verbale nga Trump varet “pjesërisht nga zgjedhjet e ndërmjetme (midterm), pjesërisht nga fakti se sa katastrofike ka qenë lufta me Iranin. Dhe më pas është gjendja e tij psikologjike: ai është një vrimë e zezë nevojash.” Ajo vazhdon: “Gjëja që ai dëshiron më shumë se çdo gjë tjetër në botë është të jetë i dashur, por askush nuk e do, sepse ai është i paaftë të dojë dikë tjetër. Prandaj ai boshllëk nuk mund të mbushet kurrë.”

