Në rrjetet sociale është bërë virale një dëshmi personale për shkëmbimin terapeutik të plazmës (TPE). Kjo ka tërhequr vëmendje të madhe pas rastit të këngëtarit të ndjerë grek, Giorgos Mazonakis.
Një grua pretendon se i është nënshtruar 18 seancave të kësaj procedure. Ajo ka ndarë publikisht përvojën e saj, duke shpjeguar mënyrën se si kryhet dhe rreziqet që, sipas saj, lidhen me të.
Në postimin e saj, ajo sqaron se TPE është një procedurë mjekësore që përdoret në raste specifike, kur synohet largimi nga qarkullimi i gjakut i substancave të caktuara, përfshirë antitrupat patologjikë. Plazma, pjesa e lëngshme e gjakut, ndahet nga komponentët e tjerë dhe zëvendësohet me lëngun e përshtatshëm, në varësi të trajtimit.
Teksa flet për përvojën e saj, gruaja në fjalë e cilëson plazmaferezën si një procedurë që mund të jetë vendimtare për pacientët me indikacione të caktuara mjekësore. Ajo tregon se vetë iu është nënshtruar 18 seancave dhe se procedura e ka ndihmuar në dy periudha të vështira të jetës së saj.
Megjithatë, ajo thekson se TPE nuk është një procedurë pa rreziqe. Sipas saj, gjatë shkëmbimit të plazmës mund të humbasin edhe faktorë të koagulimit, ndërsa duhet monitoruar edhe niveli i kalciumit. Procedura zakonisht kërkon akses venoz të posaçëm dhe monitorim të vazhdueshëm nga personeli mjekësor.
Një pjesë e dëshmisë së saj lidhet edhe me ndryshimet që ajo thotë se ka vënë re në pamjen e saj pas trajtimeve. Me humor, ajo shkruan se pas seancave ndihej sikur kishte marrë “serumin e bukurisë”, duke përshkruar një shkëlqim të përkohshëm në pamjen e lëkurës.
Por pikërisht kjo përvojë e ka shtyrë të ngrejë një pyetje lidhur me përdorimin e një procedure kaq komplekse për qëllime estetike. Ajo argumenton se plazmafereza nuk duhet të trajtohet si një trajtim kozmetik, duke e cilësuar shumë më invazive se procedura të zakonshme estetike.
Në fund të postimit, gruaja e lidh reagimin e saj me rastin e Giorgos Mazonakis, për të cilin shpreh trishtim të madh. Ajo kundërshton idenë e përdorimit të një procedure të tillë vetëm për përmirësimin e pamjes dhe kërkon më shumë informim rreth rreziqeve dhe indikacioneve mjekësore.
“Plazmafereza më mbajti gjallë në vitin 2017 dhe këtë vit në prill. E konsideroj një procedurë të shkëlqyer. Por për pacientët”, shkruan ajo, duke e mbyllur dëshminë e saj me një apel për kujdes ndaj përdorimit të procedurave mjekësore jashtë indikacioneve për të cilat ato rekomandohen.



