Ruby Rose ka shpërthyer ndaj Sydney Sweeney-t me një reagim të ashpër në rrjete sociale, duke e akuzuar hapur për paragjykim ndaj komunitetit LGBT dhe për interpretim të dobët në filmin biografik Christy. Aktorja e “Orange Is The New Black”, 39 vjeçe, shkroi në “Threads” se ishte zgjedhur fillimisht për të luajtur rolin e boksieres Christy Martin, por më vonë u zëvendësua nga ylli i “Euphoria”-s. Ruby tha se versioni origjinal i filmit kishte një kast kryesisht queer dhe se historia “kishte shpirt”, diçka që sipas saj u zhduk me ndryshimet e reja.

“Skenari i parë më ndryshoi jetën”,-shkroi ajo. “Por tani, me Sydney, gjithçka është bërë sipërfaqësore. Ajo e shkatërroi filmin. Christy meritonte më mirë. Askush nuk do të shohë dikë që shtiret se është si ne, ndërkohë që na urren”. Filmi Christy, që tregon historinë e boksieres së famshme amerikane që u përball me dhunë në familje dhe më pas pranoi publikisht se ishte homoseksuale, u publikua fundjavën e kaluar, por nuk pati sukses në kinema. Ironikisht, vetë Christy Martin ka mbështetur publikisht Sweeney-n dhe e ka shoqëruar në disa prezantime të filmit, duke e përgëzuar për punën e bërë.

Sulmet ndaj aktores vijnë në një moment kur ajo është përballur me shumë polemika për bindjet e saj republikane dhe qëndrimin e rezervuar ndaj temave politike në Hollywood. Në intervistat për filmin, Sydney tha se roli i dha forcë dhe e ndihmoi të kuptonte “çfarë do të thotë të luftosh për veten”, duke e quajtur eksperiencën “një udhëtim personal shumë i fuqishëm”.

Sydney Sweeney ka treguar për “sfidën mendore” që përjetoi pasi u detyrua të humbiste peshën e shtuar për filmin e saj të ri “Christy”, vetëm pak javë përpara se të rifillonte xhirimet për sezonin e tretë të serialit të famshëm “Euphoria”. Ylli 27-vjeçar, e nominuar për çmimin Emmy, luan rolin e Christy Martin, boksieres më të famshme amerikane të viteve ’90, në një biografi filmike që tregon historinë e saj të jashtëzakonshme dhe tragjike, përfshirë edhe atentatin ndaj saj nga bashkëshorti në vitin 2010.