Margot Robbie është një nga aktoret më të përfolura të momentit, jo vetëm për projektet filmike, por edhe për pamjen e saj mahnitëse. Vetëm 11 muaj pas lindjes së fëmijës së parë, ylli australian ka befasuar publikun me fizikun e saj të tonifikuar, duke tërhequr vëmendje të madhe në tapetin e kuq. Aktorja ka pranuar se nuk është ndjekëse strikte e dietave, pasi shpesh i pëlqen të kënaqet me ushqime si birra, patate të skuqura dhe hamburgerë.

Megjithatë, përpara projekteve të rëndësishme ose daljeve publike, ajo ndjek një regjim të pastër ushqimor, duke konsumuar mëngjes me qull ose smoothie, dreka me mish pule ose peshk të lehtë dhe dark të bazuar te proteina dhe perimet. Në këtë periudhë shmang yndyrnat e ngopura, pijet me sheqer dhe çokollatën. Përveç ushqimit, Margot është shumë e përkushtuar ndaj aktivitetit fizik. Ajo ka kaluar orë të tëra në palestër duke u përgatitur për role të vështira, si në filmin “I, Tonya”, ku punoi për të forcuar muskujt dhe barkun, apo në “Suicide Squad”, ku stërvitej me boks dhe ushtrime për këmbët.

Në përditshmëri, aktorja preferon aktivitetet që i japin energji dhe argëtim, si Pilates, klasa vallëzimi apo tenisi me miqtë. Robbie ka theksuar shpesh se për të, më e rëndësishme është të jetë e fortë dhe jo thjesht e dobët. Gjatë përgatitjes për “The Legend of Tarzan”, ajo refuzoi dietat ekstreme për të ruajtur një pamje më reale dhe natyrale për rolin e saj. Kjo qasje e balancuar mes disiplinës dhe lirisë në stilin e jetesës duket se është sekreti që e mban Margot Robbie në formë të shkëlqyer.