Një moment romantik dhe jo i zakonshëm ka ndodhur në oborrin e Shtëpisë së Bardhë. Zëvendësshefi i stafit të Donald Trump dhe një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt, Dan Scavino, i propozoi për martesë të dashurës së tij, Erin Elmore, pikërisht përpara Zyrës Ovale.

Ka qenë vetë Scavino që ka bërë publik momentin e veçantë në një postim në rrjetet sociale. Ai ka publikuar një video ku shfaqet teksa ulet në gjunjë me një unazë diamanti në dorë, ndërsa në sfond dëgjohet muzikë romantike.

“Ajo tha PO”, ka shkruar Dan Scavino bashkëngjitur me postimin në fjalë.

View this post on Instagram

A post shared by Daniel Scavino Jr. (@danscavino)

Ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen nuk ishte vetëm propozimi, por vendndodhja e tij, një skenë simbolike e lidhur zakonisht me çështje politike, jo me gjeste personale.

Ndërkohë krahasimet nuk munguan: Tiffany Trump kishte zgjedhur Kopshtin e Trëndafilave për propozimin e saj, ndërsa Scavino, sipas mediave amerikane u detyrua të gjente një tjetër hapësirë për shkak të rinovimeve që po bëhen aty.

Megjithëse disa kritikuan zgjedhjen e vendit, mbështetja nga rrethet pro-Trump ishte e menjëhershme. Urimet erdhën nga Ivanka dhe Tiffany Trump, Bettina Anderson (partnerja e Donald Trump Jr.) si dhe ish-zëdhënësit e Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer, Sarah Huckabee Sanders dhe Kayleigh McEnany. Vetë Donald Trump shkroi në Truth Social: “Çfarë çifti i mrekullueshëm – urime!”.

Dan Scavino është pjesë e ekipit të Trump prej shumë vitesh, fillimisht si bartës klubi golfi në fushën e tij dhe më pas si menaxher i Trump National Golf Club Westchester. Ai ishte gjithashtu përgjegjës për profilin e Trump në Twitter gjatë mandatit të parë.

Nga ana tjetër, e fejuara e tij, Erin Elmore, u bë e njohur për publikun pas pjesëmarrjes në reality-show “The Apprentice” në vitin 2005. Që nga 2016 ajo ka qenë e angazhuar në kampin politik të Trump dhe aktualisht punon si drejtoreshë arti në ambasadat amerikane pranë Departamentit të Shtetit. Për të dy kjo do të jetë martesa e dytë.