Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur komunitetin e Bellaria Igea Marina në Rimini, pasditen e një dite më parë, ku ka humbur jetën një 18-vjeçar.

Evan Oscar Delogu, djali i Walter Delogu dhe vëllai i prezantueses dhe shkrimtares, Andrea Delogu, po udhëtonte me një motoçikletë “Benelli 750” në “Via Vittor Pisani” kur humbi kontrollin e automjetit dhe u përplas me dy shtylla ndriçimi pranë rrugës.

Mediat italiane shkruajnë se pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të paramedikëve të 118, përpjekjet për të shpëtuar të riun rezultuan të pasuksesshme.

Rruga u mbyll përkohësisht ndërsa policia lokale nisi një hetim për të përcaktuar shkakun e aksidentit, duke marrë parasysh mundësinë e një defekti mekanik, shpërqendrimi apo probleme shëndetësore. Motoçikleta u sekuestrua për analiza të mëtejshme.

Babai i Evanit, Walter Delogu, ndau një mesazh prekës në “Facebook”: “Ndonjëherë zemra rreh edhe kur ai është i vdekur… Faleminderit të gjithëve për mbështetjen tuaj në këtë kohë zie… Dua që ta kujtoni fëmijën tonë kështu… Mirupafshim Evan… Babai yt… dhe mamaja jote…”.

Mesazhi i tij i mbushur me dhimbje dhe dashuri mori qindra komente ngushëlluese nga miq dhe të njohur.

Sipas raporteve fillestare, aksidenti ndodhi rreth orës 15:40 në një segment të drejtë rrugor pranë parkut të qytetit, pa përfshirë automjete të tjera. Policia po mbledh deklarata dhe prova për të përcaktuar rrethanat e sakta të tragjedisë.

Kjo ngjarje ka tronditur jo vetëm familjen Delogu, por edhe të gjithë komunitetin lokal, duke rikujtuar rëndësinë e sigurisë në rrugë dhe pasojat e papritura që mund të sjellin aksidentet me motoçikleta.