Një nga momentet më prekëse të ceremonisë së 78-të të çmimeve Emmy ishte paraqitja e aktorit Michael J. Fox, i cili u prit me duartrokitje në këmbë nga publiku, ndërsa përcolli një mesazh shprese për betejën e tij shumëvjeçare me sëmundjen e Parkinsonit.

Aktori 65-vjeçar u ngjit në skenë gjatë ceremonisë së zhvilluar të hënën, më 14 shtator, për të marrë Çmimin Humanitar Bob Hope. Fox u nderua për kontributin e tij në kërkimin shkencor dhe ndërgjegjësimin për sëmundjen e Parkinsonit.

Fituesi i pesë çmimeve Emmy u prezantua nga bashkë-ylli i tij në serialin “The Good Wife”, Julianna Margulies, dhe falënderoi Akademinë e Televizionit për atë që e cilësoi si një “nder të jashtëzakonshëm”.

Në fjalimin e tij, Fox kujtoi figurën e Bob Hope, në nder të të cilit është krijuar çmimi, dhe foli për ndikimin që pati shembulli i artistit në jetën e tij.

“E mësova nga shembulli i tij. Nuk mund ta dija se sa shumë do të ndikonin këto mësime në jetën time deri në fund të të 20-tave, kur fati më rezervoi një rol që nuk e doja”, tha Fox, duke iu referuar momentit kur u përball me diagnozën e Parkinsonit.

Aktori tregoi se në fillim vendosi ta mbante të fshehtë sëmundjen, pasi kishte frikë se diagnoza mund të ndikonte në karrierën dhe marrëdhënien e tij me publikun.

Por, pasi vendosi ta bëjë publike gjendjen e tij, ai tha se u befasua nga mbështetja që mori.

“U habita nga mbështetja e të gjithëve ju. U ndjeva kaq i fortë dhe kuptova se nuk e kisha humbur atë që po bëja. Ata nuk mund të ma hiqnin. Dhe kjo për shkak të mbështetjes suaj”, u shpreh ai.

Fox theksoi se pranimi i sëmundjes nuk nënkupton dorëzim përballë saj.

“E kuptova se pranimi i sëmundjes së Parkinsonit nuk do të thoshte se duhej t’i dorëzohesha asaj. Do të thoshte se duhej të bëja atë që mundesha për të gjithë ata që jetojnë me këtë sëmundje”, tha aktori.

Michael J. Fox u diagnostikua me Parkinson në vitin 1991, kur ishte vetëm 29 vjeç, ndërsa e bëri publike diagnozën në vitin 1998.

Pas përballjes me sëmundjen, ai nisi një përpjekje të gjerë për të mbështetur kërkimin shkencor dhe mbledhjen e fondeve për gjetjen e trajtimeve.

“Fillova me qëllimin për të luftuar për sëmundjen dhe për të mbledhur para. Gjeta njerëz për të udhëhequr këtë përpjekje në emrin tim dhe premtova të financoja kërkimin më të mirë shkencor në botë”, tha ai.

Aktori u shpreh krenar për progresin e bërë në kërkimin për Parkinsonin dhe theksoi se synimi mbetet eliminimi përfundimtar i sëmundjes.

“Jam krenar për progresin që kemi bërë në dobi të pacientëve me Parkinson dhe familjeve të tyre. Po i afrohemi gjithnjë e më shumë eliminimit përfundimtar të kësaj sëmundjeje. Jam thellësisht mirënjohës ndaj stafit tonë, donatorëve, studiuesve dhe mbi të gjitha, komunitetit të pacientëve që e bëjnë të mundur punën tonë në fondacion”, u shpreh Fox.

Në fund të fjalimit të tij, aktori falënderoi familjen e tij dhe Bob Hope, duke theksuar se të dy “i treguan rrugën”.

Fox ishte gjithashtu i nominuar në kategorinë e aktorit më të mirë të ftuar në një serial komedi për rolin e tij në “Shrinking”. Çmimi në këtë kategori iu dha Rob Reiner, disa muaj pas vdekjes së tij.