George Clooney ka marrë një kthesë të rëndësishme në jetën dhe prioritetet e tij, teksa i afrohet moshës 65-vjeçare. Aktori i njohur i Hollywood-it ka deklaruar se synon një ritëm më të qetë dhe më kuptimplotë, duke zhvendosur fokusin kryesor nga karriera drejt angazhimeve filantropike.
Duke folur në edicionin e 51-të të Chaplin Awards Gala në Lincoln Center, Clooney u shpreh se nuk është më i përqendruar në ndërtimin e karrierës si në të kaluarën. Ai theksoi se do t’i kushtojë më shumë kohë punës me Clooney Foundation for Justice, fondacionin që ka themeluar së bashku me bashkëshorten e tij, Amal Clooney.
“Do të merrem me gjëra që i konsideroj më kuptimplota, sepse nuk po ndjek më një karrierë,” deklaroi ai, duke nënvizuar se projektet personale i japin më shumë hapësirë për t’u fokusuar te çështjet që i konsideron të rëndësishme.
Në të njëjtën kohë, Clooney njoftoi edhe një bashkëpunim me Royal Film and Television School në Los Angeles, një iniciativë që synon të krijojë më shumë mundësi për studentët që duan të ndjekin karrierë në industrinë e filmit dhe televizionit.
Megjithatë, aktori nuk planifikon të tërhiqet plotësisht nga aktrimi. Ai la të hapur mundësinë për t’u angazhuar në projekte të reja, nëse ato i duken tërheqëse: “Nëse vjen një rol i mirë, sigurisht që do ta pranoj,” u shpreh Clooney.
