Chris Hemsworth ka pranuar se është penduar për një selfie me Billie Eilish, por jo për arsyet që shumica mund të mendojnë. Aktori australian 41-vjeçar, i famshëm për rolin e tij si Thor në Marvel Cinematic Universe, pati një moment të sikletshëm gjatë ceremonisë së Oscars 2024. Nuk ishte një problem me veshjen apo pamjen e tij në foto, por një ndjenjë që e ka shqetësuar që nga ai moment.

I ftuar në “The Late Show with Stephen Colbert”, Hemsworth u përball me një pyetje interesante nga moderatori: nëse ndonjëherë kishte kërkuar një autograf nga dikush. Fillimisht, ai përmendi se shumë kohë më parë kishte kërkuar autografin e një futbollisti, por më pas rrëfeu një histori të sikletshme me Billie Eilish.

“Në fakt, bëra një foto me Billie Eilish në Oscars,” tha ai. “Dhe më kujtohet që po mendoja, ‘Mos e bëj, mos e bëj,’ por pastaj thashë me vete, ‘Jo, fëmijët e mi do ta adhurojnë këtë moment.'”

Hemsworth dhe bashkëshortja e tij Elsa Pataky kanë tre fëmijë, vajzën India, 12 vjeç, dhe binjakët Sasha dhe Tristan, 11 vjeç të cilët janë fansa të mëdhenj të këngëtares.

Por, sapo bëri foton, ai e kuptoi gabimin e tij.

“Në atë moment, ndjeva sikur kalova nga koleg i industrisë në një fans të zakonshëm,” shpjegoi ai. “Tani e di që nuk do të bëhemi kurrë miq.”

Colbert e pyeti nëse ata kishin punuar ndonjëherë bashkë, dhe Hemsworth qeshi: “Jo, por jemi në të njëjtën fushë. Na ndodh të përplasemi ndonjëherë.”

Kjo nuk është hera e parë që aktori bën foto me personazhe të famshëm, madje ai ka shkelur rregullat e Met Gala vitin e kaluar duke bërë selfie, pavarësisht ndalimeve.

Duke folur për E! News, ai tha: “Kam shumë selfie në telefon. Disa herë shoh ndonjë dhe mendoj: ‘Kur e bëra këtë? Më mirë ta fshij.'”

Hemsworth shpjegoi se ai dhe Elsa, duke jetuar në Australi, e përjetojnë ndryshe atmosferën e eventeve të mëdha si çmimet e filmave dhe Met Gala.