Aktori i njohur, Chevy Chase ka vendosur të flasë për një nga periudhat më të errëta të jetës së tij. Në dokumentarin e ri të transmetuar nga CNN, aktori 82-vjeçar tregon se ka qenë viktimë e abuzimit nga nëna e tij, Cathalene Parker Browning, të cilën e përshkruan si jashtë kontrollit.
Dokumentari, i titulluar I’m Chevy Chase and You’re Not, sjell në vëmendje anën e panjohur të figurës publike që u bë ikonë e humorit amerikan falë Saturday Night Live dhe filmave të suksesshëm si Caddyshack dhe seria Vacation. Ai tregon se prindërit e tij u ndanë kur ishte vetëm katër vjeç dhe se situata familjare u përkeqësua edhe më shumë me praninë e njerkut të tij, të cilin e përshkruan si të ftohtë dhe pa humor. Sipas Chase, dhuna dhe tensioni i vazhdueshëm lanë pasoja të thella emocionale që e ndoqën edhe në jetën e rritur.
Aktori pranon se traumat e hershme ndikuan drejtpërdrejt në varësinë e tij nga alkooli dhe kokaina, si dhe në problemet serioze shëndetësore, përfshirë dështimin e zemrës. Përplasjet me kolegë dhe reputacioni i vështirë në industrinë e filmit, sipas tij, nuk mund të kuptohen pa u parë më parë rrënjët e dhimbjes që ai mbarti që në fëmijëri.
Në dokumentar flet edhe vëllai i tij, Ned Chase Jr., i cili përshkruan një ambient familjar të mbushur me shpërthime zemërimi dhe dhunë, duke pranuar se Chevy ishte shpesh objekt i këtyre përplasjeve.



