Aktori dhe komediani i njohur amerikan Eddie Murphy ka folur për herë të parë publikisht për betejën e tij me çrregullimin obsesiv-kompulsiv (OCD), në dokumentarin e ri të Netflix me titull “Being Eddie”. Ylli 64-vjeçar rrëfen se simptomat i kishte vënë re që në fëmijëri, por nuk e kuptonte çfarë po ndodhte.
Kur isha i vogël, kontrolloja sobën disa herë gjatë natës për t’u siguruar që gazi ishte fikur. Mendoja se po bëja gjëra të çuditshme, por nuk e dija pse.
Ai shton se askush në familjen e tij nuk e kishte kuptuar problemin.
Nëna ime nuk e dinte. Bëja edhe zhurma të çuditshme kur shikoja televizor dhe nuk mund ta shpjegoja dot.
Murphy rrëfen se për herë të parë e kuptoi se çfarë kishte kur pa një lajm për OCD-në në adoleshencë.
Thashë me vete: ‘Kjo është ajo që kam unë.’ Por pastaj mendova: ‘Jo, nuk dua të kem ndonjë sëmundje mendore,’ dhe u përpoqa ta ndaloj. Sipas Klinikës Mayo, çrregullimi obsesiv-kompulsiv karakterizohet nga mendime të padëshiruara dhe sjellje të përsëritura që shkaktojnë ankth dhe shqetësim të vazhdueshëm. Edhe sot, Murphy pranon se simptomat e tij nuk janë zhdukur plotësisht.
Ende kontrolloj sobën çdo natë, por nëse e bëj më shumë se një herë, i them vetes të ndaloj.
Dokumentari “Being Eddie” sjell një portret të ndjeshëm dhe autentik të jetës së aktorit, nga fëmijëria e tij në New York, deri te fama botërore që e shndërroi në një nga komedianët më të dashur të Hollivudit. Filmi tashmë është i disponueshëm për shikim në Netflix.




