Aktori italian Michele Morrone po zgjeron aktivitetin e tij përtej kinemasë, duke u bërë pjesë e një platforme të re me përmbajtje ekskluzive me pagesë, ku nuk është thjesht krijues, por edhe bashkëpronar.

I njohur në mbarë botën pas suksesit të trilogjisë erotike të Netflix, “365 Days”, Morrone ka vendosur të bëjë një tjetër lëvizje që ka tërhequr vëmendjen e fansave. Sipas raportimeve të mediave të huaja, 36-vjeçari i është bashkuar Subs.com, platformës së re të themeluar nga Tim Stokely, krijuesi i OnlyFans.

Aktori do të ketë profilin e tij në këtë platformë, ku do të publikojë materiale ekskluzive për abonentët, ndërsa do të zotërojë gjithashtu një pjesë të biznesit. Në një deklaratë, ai është shprehur se nuk ka qenë kurrë i interesuar të ndjekë rregullat e të tjerëve, por të krijojë të tijat, duke shtuar se Subs.com i jep mundësinë të ketë një komunikim më personal dhe të drejtpërdrejtë me fansat.

Abonimi në profilin e Morrone kushton 19.99 dollarë në muaj, ndërsa përmbajtje të veçanta me pagesë shtesë variojnë nga 5 deri në 35 dollarë. Aktori ka paralajmëruar gjithashtu video-thirrje live dhe ndërveprime të tjera ekskluzive me ndjekësit.

Por ai nuk është i vetmi emër i njohur që ka investuar në këtë platformë. Edhe aktorja Megan Fox, me të cilën Morrone ka bashkëpunuar në filmin “Subservience”, është bërë pjesë e saj si krijuese dhe bashkëpronare. Hapja e profilit të saj thuhet se shkaktoi një fluks aq të madh vizitorësh, saqë serverët e platformës patën probleme.

Ndërkohë, Morrone u kthye në një fenomen ndërkombëtar pas rolit të tij në “365 Days”, ku u shndërrua në një nga aktorët më të komentuar për imazhin dhe skenat provokuese. Së fundmi, ai ka qenë pjesë edhe e filmit “The Housemaid”, ku interpretoi përkrah Sydney Sweeney, ndërsa aktualisht është i angazhuar në xhirimet e vazhdimit të tij.