Emily Blunt beson se njerëzimi nuk është i vetëm në univers. Në një intervistë të fundit, aktorja britanike tregon se kaloi orë të tëra duke parë dëshmi të personave që pretendojnë se kanë pasur kontakte me jetë jashtëtokësore, si përgatitje për rolin kryesor në filmin e ri fantastiko-shkencor të Steven Spielberg, Disclosure Day. Sipas saj, do të ishte “arrogante të mendonim se jemi vetëm”.
Edhe pse në një kohë kur shumë aktorë investojnë në marka apo rrjete sociale, Blunt ka zgjedhur të qëndrojë larg tyre. Ajo nuk ka pasur kurrë një profil në rrjetet sociale dhe mbetet e përkushtuar vetëm ndaj aktrimit. Karriera e saj përfshin role të ndryshme, nga “The Devil Wears Prada” dhe “Mary Poppins Returns” deri te “Oppenheimer”, për të cilin u nominua për Oscar.
Blunt kujton se mori telefonatën për rolin në “The Devil Wears Prada” në vitin 2005, ndërsa ndodhej në një klub nate. Megjithëse shkoi në audicion e veshur thjesht, talenti i saj dhe theksi britanik bindën regjisorin David Frankel se ishte zgjedhja ideale për personazhin e Emily-t. Aktorja pranon se ky film i ndryshoi jetën dhe e bëri të njohur në mbarë botën.
Së shpejti ajo do të rikthehet edhe në “A Quiet Place”, projekt i drejtuar nga bashkëshorti i saj, John Krasinski. Edhe pse nuk është adhuruese e filmave horror, Blunt thotë se bashkëpunimi me të ka qenë një nga përvojat më të bukura profesionale. Çifti këtë verë feston 16-vjetorin e martesës dhe janë prindër të dy vajzave, Hazel dhe Violet.
Aktorja është gjithashtu skeptike ndaj inteligjencës artificiale. Për Disclosure Day, ajo dhe Spielberg vendosën të krijonin manualisht gjuhën e alienëve, pa përdorur IA. Në film, Blunt interpreton Margaret Fairchild, një meteorologe televizive që zgjidhet nga jashtëtokësorët si ndërmjetësja e komunikimit me njerëzimin. Pavarësisht suksesit në Hollywood, Blunt thotë se kur kthehet në shtëpi lë pas çdo rol. Familja mbetet prioriteti i saj absolut dhe momentet me bashkëshortin dhe vajzat janë ato që e bëjnë të ndihet më e plotësuar.


