Aktorja e njohur, Denise Richards dhe ish-bashkëshorti i saj, Aaron Phypers, janë udhëruar të lirojnë shtëpinë e tyre në Calabasas, Kaliforni pasi nuk kanë paguar qiranë.

Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga Page Six, një gjykatës i Gjykatës së Lartë të Los Angeles-it miratoi kërkesën e pronarit të banesës për t’i nxjerrë ata nga prona.

Sipas padisë, të dy i detyrohen pronarit rreth 84 mijë dollarë qira të papaguar. Pronari ka kërkuar gjithashtu që ata të paguajnë shpenzimet e avokatëve dhe dëmet e shkaktuara.

Richards dhe Phypers nënshkruan kontratën e qirasë për këtë pronë në qershor të vitit 2020 dhe paguan një depozitë sigurie prej 24 mijë dollarësh.

Richards nuk jeton më në pronën e Calabasas-it, mes divorcit të saj të tensionuar me Phypers, pas gati gjashtë vitesh martesë. Aktorja pretendoi në dokumentet gjyqësore të siguruara nga Page Six në gusht se ishte larguar nga shtëpia dy vite më parë. Sipas deklarimit të saj, ajo kishte besuar se familja e Phypers do të jetonte aty vetëm përkohësisht.

Ish-ylli i The Real Housewives of Beverly Hills dyshohet se e kishte njoftuar Phypers se ai do të ishte përgjegjës për pagesën e qirasë duke filluar nga janari, ndërkohë që familja e tij vazhdonte të jetonte në shtëpi dhe refuzonte të largohej.

Sipas dosjes, pronari i banesës kishte tentuar për gjashtë muajt e fundit të kontaktonte Phypers për qiranë e papaguar, por nuk kishte mundur ta gjente, ndaj u kishte dorëzuar një njoftim për dëbim, pasi të dy emrat figurojnë në kontratën e qirasë.