Aktorja amerikane Christina Applegate ka ndarë një përditësim të sinqertë për gjendjen e saj shëndetësore, duke treguar se për shkak të sklerozës multiple tashmë e kalon pjesën më të madhe të ditës e shtrirë në shtrat.
54-vjeçarja, e cila e bëri publike diagnozën në vitin 2021, foli hapur në një intervistë për People, ku pranoi se dhimbjet e forta dhe lodhja e vazhdueshme e kufizojnë ndjeshëm në përditshmëri. Sipas saj, ka ditë kur e ka të pamundur të qëndrojë gjatë në këmbë, ndaj pushimi është bërë pjesë thelbësore e rutinës së saj.
Megjithatë, pavarësisht vështirësive, Applegate përpiqet të ruajë disa momente të shenjta me vajzën e saj 15-vjeçare, Sadie. Ajo tregon se e çon vetë në shkollë sa herë që mundet, duke e cilësuar këtë si pjesën më të bukur të ditës. “Është koha jonë vetëm për vetëm”, është shprehur aktorja, duke shtuar se shpesh i thotë vetes të përqendrohet vetëm te një qëllim; ta çojë të bijën të sigurt dhe më pas të kthehet në shtëpi për të pushuar.
Ndërkaq, aktorja po përgatitet të sjellë librin e saj autobiografik, “You With the Sad Eyes”, i cili pritet të publikohet më 3 mars. Në të, ajo do të rrëfejë jo vetëm përballjen me sklerozën multiple, por edhe për fëmijërinë si yll i vogël, sfidat në industrinë e argëtimit dhe përvojat e vështira personale që kanë lënë gjurmë në jetën e saj.





