Aktorja amerikane, Margaret Qualley, ka rrëfyer për marrëdhënien e saj me bashkëshortin Jack Antonoff, gjatë një interviste për revistën Cosmopolitan. Gjatë sesionit fotografik të realizuar për kopertinën, 30-vjeçarja ka folur për jetën personale, sfidat, dashurinë dhe karrierën e saj. Ajo zbuloi se para se të takonte Jack-un, ishte e vetmuar dhe shpesh ndihej e humbur në përpjekjen për të qenë “vajza perfekte e dikujt tjetër”.

“Xheku më bën të ndihem e sigurt dhe e qetë. Nuk mund ta gënjej, ai më kupton menjëherë. Ai është njeriu që kam imagjinuar gjithë jetën time”-u shpreh ajo. Çifti u martua në gusht 2023 në një ceremoni luksoze në New Jersey, ku morën pjesë yje të mëdhenj si Taylor Swift, Lana Del Rey, Zoe Kravitz dhe nëna e nuses, Andie MacDowell.

Edhe pse është vajza e një figure të njohur në Hollywood, Margaret e hodhi poshtë idenë se karriera e saj është rezultat i nepotizmit. Ajo rrëfeu se që në moshën 16-vjeçare jetonte e vetme në New York, pa mobilje e pa njohje dhe arriti pavarësinë financiare në moshën 18-vjeçare. Pasionin për artin dhe komedinë e ka pasur që në fëmijëri dhe idhulli i saj i parë ka qenë Adam Sandler në filmin Happy Gilmore. Ndaj, aktorja e përjetoi si ëndërr realizimin e rolit në vazhdimin e filmit të famshëm, përkrah vetë Sandler. Ajo zbuloi se bashkëshorti i saj, Jack, madje “gënjeu” për të ndihmuar që ajo të sigurojë rolin, duke e bindur Adam-in se Margaret dinte të luante golf, gjë që nuk është aspak e vërtetë.