Millie Bobby Brown ka vendosur të flasë hapur për një periudhë të vështirë të jetës së saj, duke zbuluar se fama e hershme i solli jo vetëm sukses, por edhe një valë të madhe kritikash dhe bullizmi në internet.
Aktorja britanike, e cila u bë e famshme në mbarë botën me rolin e Eleven në serialin “Stranger Things”, tregoi se sulmet ndaj saj nisën kur ishte vetëm rreth 15 vjeçe, në një periudhë kur ende po formonte identitetin dhe vetëbesimin e saj.
Brown tha se komentet negative në rrjetet sociale shpesh ishin të përqendruara te pamja e saj, veshja dhe mënyra se si shfaqej në publik.
Ajo zbuloi se disa persona e tallnin duke pretenduar se “dukej si një 60-vjeçare”, ndërsa çdo zgjedhje e saj në modë shoqërohej me kritika.
Sipas aktores, situata ishte veçanërisht e vështirë sepse ndonjëherë merrte reagime kontradiktore: nëse ndryshonte stilin, kritikohej për ndryshimin, ndërsa nëse qëndronte e njëjtë, sërish përballej me komente negative.
Presioni i vazhdueshëm ndikoi në mënyrën se si ajo e shihte veten dhe, siç ka rrëfyer edhe më herët, e çoi drejt kërkimit të ndihmës profesionale për të përballuar pasojat emocionale të bullizmit.
Është shumë e vështirë të përballesh me urrejtjen publike kur ende po përpiqesh të kuptosh se kush je
-ka treguar aktorja, duke theksuar se në moshë të re komentet nga miliona njerëz mund të kenë një ndikim të madh.
Megjithatë, Brown thotë se mbështetja e familjes dhe njerëzve të afërt e ndihmoi të kuptonte se nuk duhej të ndryshonte për të kënaqur pritshmëritë e të tjerëve.
Sot, në moshën 22-vjeçare, Millie Bobby Brown konsiderohet një nga aktoret më të suksesshme të brezit të saj. Përveç karrierës në Hollywood, ajo vazhdon të përdorë ndikimin e saj publik për të folur kundër bullizmit online dhe presionit që përballojnë të rinjtë në epokën e rrjeteve sociale.
