Aktorja e njohur Millie Bobby Brown ka reaguar sërish ndaj mënyrës se si mediat trajtojnë pamjen e saj, duke e quajtur këtë një formë të qartë ngacmimi publik. Në një intervistë për British Vogue, 21-vjeçarja, e famshme për rolin e saj në serialin Stranger Things, kritikoi ashpër mënyrën denigruese me të cilën disa portale dhe gazeta komentojnë pamjen dhe stilin e saj. “Është ngacmim publik. Nuk u detyrohem njerëzve një falje për mënyrën se si dukem apo për mënyrën si zgjedh të shprehem,”-u shpreh ajo.

Brown kujtoi se muaj më parë kishte përjetuar momente të vështira pas publikimit të disa artikujve që ironizonin pamjen e saj gjatë promovimit të filmit të Netflix-it The Electric State. “Qaja çdo ditë kur shihja titujt: ‘Çfarë i ka ndodhur fytyrës? Pse është bërë bjonde? Duket 60 vjeçe!’,” tregoi ajo me ironi. Aktorja theksoi se, edhe pse e respekton gazetarinë, dënon mënyrën toksike të disa mediave që e reduktojnë një artiste në pamjen e saj të jashtme. “E di që paparacët janë pjesë e punës, por mos më ‘vrisni’ me titujt. Kjo është ngacmim, veçanërisht për vajzat e reja që hyjnë në industri dhe fillojnë të dyshojnë te vetja,”-shtoi ajo.

Millie kujtoi edhe një moment emocional gjatë BRIT Awards, kur kishte shpërthyer në lote pas skene, pak para se t’i dorëzonte një çmim këngëtares Sabrina Carpenter. “Qava me dënesë. Por kur pashë Sabrinën, ajo më kujtoi që nuk duhet t’i lejoj askujt të më thyejë shpirtin. Më dha forcë,”-rrëfeu aktorja. Pas gjithë kritikave, Brown vendosi të përballet hapur me to përmes një videoje në Instagram: “Nëse dikujt i pengon që jam bjonde apo që mbaj më shumë grim, do ta përballoj unë, jo vetëm për veten, por për çdo vajzë që dëshiron të eksperimentojë me pamjen e saj.”

Në fund të intervistës, ajo dha një mesazh të fortë:

Është shqetësuese që redaktorë të rritur harxhojnë kohën duke analizuar fytyrën, trupin dhe zgjedhjet e mia. Edhe më e dhimbshme është kur këto artikuj shkruhen nga gra. Flasim për fuqizimin e femrave, por shpesh i shkatërrojmë për klikime. Unë refuzoj të kërkoj falje që jam rritur dhe që jetoj sipas kushteve të mia. Nuk do të turpërohem për mënyrën se si dukem, si vishem apo si e prezantoj veten.