Autoritetet në Australi kanë nisur një hetim pas akuzave të ngritura nga aktorja dhe modelja Ruby Rose ndaj këngëtares Katy Perry, lidhur me një incident të dyshuar që pretendohet të ketë ndodhur rreth 20 vite më parë në një klub nate në Melbourne.

Sipas mediave australiane, Policia e shtetit Victoria ka konfirmuar se po trajton një rast të raportuar si sulm seksual, i cili lidhet me një ngjarje të vjetër dhe aktualisht është në fazë hetimi. Autoritetet kanë bërë të ditur se çështja po trajtohet nga detektivë të specializuar për rastet e dhunës seksuale dhe abuzimit, ndërsa për shkak të ndjeshmërisë së hetimeve nuk janë dhënë detaje të mëtejshme për publikun.
Nga ana tjetër, Ruby Rose ka deklaruar se ka dorëzuar zyrtarisht dëshmitë dhe materialet përkatëse pranë autoriteteve dhe se, për shkak të rregullave të procesit hetimor, nuk mund të komentojë më publikisht mbi çështjen. Ajo ka theksuar gjithashtu se i është dashur gati dy dekada për të folur për përvojën e saj, duke e lidhur këtë vonesë me ndikimin emocional dhe traumën e pretenduar të përjetuar.

Në reagimet e para, përfaqësues të Katy Perry kanë mohuar kategorikisht akuzat e ngritura ndaj saj, duke i cilësuar ato të pavërteta. Deri më tani, autoritetet nuk kanë dalë në përfundime zyrtare dhe hetimi vijon ende.

Çështja ka shkaktuar reagime të shumta në rrjete sociale, ndërsa pritet zhvillime të mëtejshme nga organet hetimore në Australi.