Stefon Diggs, partneri i reperes Cardi B po përballet me akuza të rënda për dhunë ndaj kuzhinieres së tij personale. Ai raportohet se është akuzuar për tenrativë mbytjeje dhe sulm. Sipas një raporti policor, kuzhinierja ka deklaruar se 32-vjeçari e ka goditur dhe e ka shtrënguar në fyt deri në humbje të vetëdijes, në shtëpinë e tyre në Dedham. Ajo pretendon se Diggs e ka qëlluar në fytyrë pas një debati që kishte të bënte me pagesën e saj.

Në një nga mesazhet që Diggs dyshohet se ia ka dërguar, thuhej: “Unë nuk do të të paguaj. Nuk jam i detyruar. Nuk më intereson. A je e çmendur?”. Në raportin policor më tej theksohet: “Burri më pas ka tentuar ta mbytë duke përdorur bërrylin e tij rreth qafës së saj. Ajo tha se ai gjendej pas shpinës së saj, me dorën e mbështjellë rreth qafës”.

Sipas deklarimeve të saj, ajo ka ndier vështirësi në frymëmarrje dhe ka menduar se mund të humbiste ndjenjat. Ndërsa përpiqej të largohej, ai sipas saj e ka shtrënguar edhe më fort. Në atë moment, thuhet se ai e ka hedhur mbi shtrat, duke i thënë diçka të ngjashme me: “E dija.” Kur ajo i ka kujtuar se ende nuk ishte paguar, ai është përgjigjur “gënjeshtra” dhe është larguar nga dhoma.

Nga ana tjetër, avokati i Diggs, David Meier, ka deklaruar se futbollisti i mohon kategorikisht këto akuza.