Një debat i fortë ka shpërthyer në rrjetet sociale pasi aktorja Ruby Rose ka bërë akuza serioze ndaj këngëtares Katy Perry për një incident seksual të ndodhur rreth dy dekada më parë.
Më 13 prill, përfaqësues të Katy Perry kanë reaguar ashpër, duke i cilësuar pretendimet si të pavërteta dhe të rrezikshme.
“Akuzat që qarkullojnë në mediat sociale… jo vetëm që janë kategorikisht të rreme, por janë edhe gënjeshtra të rrezikshme dhe të pamatura”, thuhet në deklaratë.
Ata shtuan gjithashtu se Ruby Rose ka bërë edhe më parë akuza publike ndaj individëve të ndryshëm, të cilat sipas tyre janë mohuar.
Akuzat dolën fillimisht në platformën Threads, ku Ruby Rose përshkroi një incident që, sipas saj, ka ndodhur në një klub nate në Melbourne, kur ajo ishte në fillim të të 20-ave.
Aktorja, e njohur edhe për rolin në Orange Is the New Black, shpjegoi pse vendosi të flasë tani:
“Më janë dashur pothuajse 2 dekada për ta thënë këtë publikisht… Nuk dija si ta trajtoja ndryshe”.
Në rrëfimin e saj, Ruby Rose bëri edhe pretendime të tjera për takimin, duke theksuar se nuk kishte bërë kallëzim në polici në atë kohë.
Madje, ajo fillimisht u shpreh se do të mirëpriste një padi nga Katy Perry, por më vonë duket se ndryshoi qëndrim duke deklaruar:
“Sapo dola nga komisariati i policisë”.
Përplasja mes Ruby Rose dhe Katy Perry ka ndezur reagime të shumta në rrjet, me publikun të ndarë mes mbështetjes dhe skepticizmit.
Deri tani, nuk ka një zhvillim zyrtar nga autoritetet, ndërsa situata mbetet në zhvillim dhe pritet të marrë edhe më shumë vëmendje në ditët në vijim.
