Një nga murgjit budistë më të njohur dhe me ndikim në Sri Lanka është arrestuar nën akuzat për përdhunim dhe abuzim seksual ndaj një vajze 15-vjeçare. Sipas mediave ndërkombëtare, Pallegama Hemarathana Thero, figurë e lartë fetare dhe kujdestar i tetë vendeve të shenjta budiste në vend, u ndalua nga autoritetet pas një hetimi të nisur nga Autoriteti Kombëtar për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Murgu akuzohet për dhunë seksuale ndaj të miturës dhe pritet të dalë sot para gjykatës. Deri tani ai nuk ka reaguar publikisht ndaj akuzave. Autoritetet arrestuan edhe nënën e vajzës, e cila dyshohet për favorizim dhe bashkëpunim në fshehjen e rastit.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje në Sri Lanka, pasi arrestime të figurave kaq të larta fetare janë shumë të rralla në vend, ku murgjit budistë gëzojnë ndikim të madh politik dhe shoqëror.