Për herë të dytë brenda pak ditësh, Elijah Blue Allman, djali 49-vjeçar i ikonës së muzikës Cher, është arrestuar në shtetin e New Hampshire, këtë herë me akuza për vjedhje me thyerje dhe shkelje të kushteve të lirimit me kusht.

Sipas një deklarate të Departamentit të Policisë në Wyndham, Allman dyshohet se hyri me forcë në një banesë të dielën. Një grua që ndodhej në shtëpi u fsheh në një dollap deri në mbërritjen e autoriteteve. Policia e gjeti 49-vjeçarin duke pirë duhan në divanin e dhomës së ndenjes. Nuk raportohet për sende të vjedhura, por dyshohet se ai shkaktoi rreth 1,700 dollarë dëme në derë dhe 1,000 dollarë të tjera në një qilim, pasi mbi të ra një cigare e ndezur.

Allman u përball gjithashtu me dy akuza për dëmtim të pronës së një tjetri dhe, gjatë paraqitjes në gjykatë të hënën, iu caktua paraburgim parandalues.