Policia e Los Angelesit ka nisur hetimet pas raportimit për një person të paidentifikuar që hyri në pronën e regjisorit Quentin Tarantino në Hollywood Hills. Ngjarja ndodhi të mërkurën, ndërsa në fillim autoritetet dyshuan për një tentativë grabitjeje në një banesë ku mund të kishte njerëz brenda.

Sipas autoriteteve, policia mori një telefonatë rreth orës 12:20, pas raportimeve për një person që po sillej në mënyrë të dyshimtë pranë pronës së Tarantinos.

I dyshuari përshkruhet si një burrë rreth 35 vjeç, me trup të dobët, i veshur me një bluzë të zezë me mëngë të gjata dhe pantallona të zeza. Burimet e cituara nga mediat amerikane thanë se ai dyshohet se ishte përpjekur të hynte nga një dritare në katin e dytë të rezidencës.

Kur policia mbërriti në vendngjarje, personi ishte larguar. Forcat e rendit kontrolluan pronën, por nuk arritën ta gjenin dhe regjistruan një raport për hyrje të paautorizuar. Deri tani nuk është bërë e ditur nëse nga prona është marrë ndonjë send.

Nuk është konfirmuar nëse Quentin Tarantino ndodhej në rezidencë në momentin e incidentit. Raportimet e fundit sugjerojnë se regjisori nuk ishte në shtëpi, ndërsa mbetet e paqartë nëse kishte persona të tjerë brenda kur ndodhi hyrja e dyshuar.

Incidenti nuk është i pari i këtij lloji për Tarantinon. Në vitin 2018, dy persona hynë në shtëpinë e tij gjatë natës dhe regjisori thuhet se u përball me ta. Ata u larguan nga prona, ndërsa sipas raportimeve të atëhershme morën bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë.

Hetimi për incidentin e fundit vijon dhe deri më 10 shtator nuk ishte njoftuar për ndonjë arrestim në lidhje me rastin.