Federata Evropiane e Atletikës ka vendosur rregulla të reja për mënyrën e transmetimit televiziv të garave, duke kërkuar një fokus më të madh te performanca sportive dhe më pak te pamjet që nxjerrin në pah pjesë të veçanta të trupit të atletëve. Sipas udhëzimeve të reja për operatorët e kamerave, rekomandohet shmangia e xhirimeve nga kënde të ulëta, planeve shumë të afërta të pjesëve individuale të trupit dhe pamjeve të cilësuara si “spektakolare”, të cilat mund të largojnë vëmendjen nga gara.

Në vend të tyre, transmetuesit janë udhëzuar të përqendrohen te teknika e sportistëve, emocionet e tyre, përgatitja dhe vetë konkurrimi. Vendimi erdhi pas ankesave të disa atletëve, të cilët kanë kritikuar faktin se disa pamje të marra gjatë garave shpesh shkëputen nga transmetimet dhe shpërndahen më pas në mediat sociale jashtë kontekstit sportiv. Qëllimi i ndryshimeve është të sigurohet që atletët të trajtohen me respekt dhe që vëmendja të mbetet te rezultatet, përpjekja dhe aspekti profesional i sportit.