Andrew Garfield ka ritheksuar qëndrimin e tij të hershëm se Spider-Man mund të jetë homoseksual, duke argumentuar se pikërisht natyra gjithëpërfshirëse e personazhit është një nga arsyet pse ai është kaq i dashur nga publiku.

Aktori britanik, 43 vjeç, e luajti Peter Parker në “The Amazing Spider-Man” të vitit 2012 dhe në vazhdimin e tij, “The Amazing Spider-Man 2”, në vitin 2014.

Në një intervistë për Entertainment Weekly, Garfield u pyet për deklaratat e tij të bëra më shumë se një dekadë më parë.

Unë ende besoj se çdokush mund të jetë brenda atij kostumi -tha ai.

Pikërisht kjo është arsyeja pse ai është një personazh kaq i dashur universalisht… sepse nuk sheh ngjyrën e lëkurës, nuk sheh gjininë, nuk sheh orientimin seksual. Çdokush mund ta projektojë veten në atë kostum -shpjegoi aktori.

Garfield e përshkroi deklaratën e tij të vitit 2013, kur kishte propozuar idenë e një Spider-Man homoseksual, si “një akt rebelimi”.

Më pëlqen ideja e një hapësire ku të gjithë respektohen dhe të gjithë përfshihen. Ishte thjesht një mënyrë për të thënë: ‘Pse jo?’ Dhe nëse ke një mendim shumë të fortë në njërën apo tjetrën anë, atëherë po tregon diçka për veten -u shpreh ai.

Në vitin 2013, gjatë një interviste po për Entertainment Weekly, Garfield kishte folur edhe me producentin e “The Amazing Spider-Man”, Matt Tolmach, për mundësinë që historia romantike e Peter Parkerit të ndryshonte.

Aktori kishte sugjeruar madje që Peter të eksploronte seksualitetin e tij dhe kishte propozuar ndryshimin e gjinisë së Mary Jane.

Pse të mos zbulojmë se Peter po eksploron seksualitetin e tij?

Më pas, ai kishte shtuar:

Atëherë, pse të mos jetë homoseksual? Pse të mos pëlqejë djemtë?

Garfield u largua nga seria e filmave “Spider-Man” pasi ekskluziviteti u riformatua për t’u lidhur me universin e filmave “Avengers”, ndërsa roli i Spider-Man iu dha Tom Holland.

Megjithatë, më shumë se 13 vite pas deklaratave të tij të para, Garfield duket se vazhdon të mbrojë të njëjtën ide: Spider-Man nuk duhet të kufizohet nga një identitet i vetëm dhe çdo person duhet të jetë në gjendje ta shohë veten në të.